Në një rast emergjent gjatë ditës së sotme, Policia Kufitare Dhërmi, në koordinim me ekipin e urgjencës mjekësore, ka intervenuar për të ndihmuar një shtetas të mitur të dëmtuar në Gjirin e Gramës.
Një shtetas 12-vjeçar me shtetësi të huaj, i shoqëruar nga prindërit e tij, ka pësuar një aksident kur ka hedhur nga një shkëmb i lartë në det, duke shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Pas lajmërimit të emergjencës, shërbimet e Policisë Kufitare janë angazhuar menjëherë për të transportuar ekipin mjekësor në vendin e ngjarjes me mjet lundrues.
Në vend, i mituri ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe është transportuar më pas drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm. Fatmirësisht, pas kujdesit të menjëhershëm, ai ka dalë jashtë rrezikut për jetën.
Policia Kufitare Dhërmi ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme në raste emergjente.
Për këtë arsye, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Vlorë u bën thirrje pushuesve që frekuentojnë plazhet e jugut, veçanërisht ato që ndodhen në zona të thella e të izoluara, si Gjiri i Gramës, të tregojnë kujdes të shtuar. Këto zona janë të aksesueshme kryesisht me mjete lundruese dhe shpesh nuk kanë mbulim të plotë me rrjet celular, duke bërë që ndërhyrja të kërkojë më shumë kohë.
Për këtë arsye, autoritetet rekomandojnë shmangien e veprimeve të rrezikshme dhe marrjen e masave paraprake për sigurinë personale në plazhe të izoluara.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente