Lëvizje të rëndësishme kanë nisur në administratën e Bashkisë Fier, pas urdhrit të dhënë dy ditë më parë nga kryeministri Edi Rama. Të gjithë drejtorët që janë emëruar përpara muajit janar kanë nisur të paraqesin dorëheqjet e tyre, në zbatim të drejtpërdrejtë të kërkesës së qeverisë.
Burime për mediat raportojnë se dorëheqjet janë dorëzuar pranë kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, ndërkohë që nga ky urdhër përjashtohen emërimet e bëra pas janarit 2025.
Pavarësisht se dy nënkryetarët aktualë, Vaso Bregu dhe Suela Prifti, nuk kanë dhënë ende dorëheqje, është përzgjedhur tashmë emri i ri që do të marrë drejtimin. Bëhet fjalë për ish-deputetin e PDIU-së, Nustret Avdulla, i cili në vitin 2021 u bashkua me Partinë Socialiste. Ai pritet të marrë pozicionin e nënkryetarit me kompetenca të zgjeruara.
Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të “turit” të inspektimeve që kryeministri Rama ka ndërmarrë gjatë javëve të fundit në disa bashki të vendit, përfshirë Vlorën, Fieri dhe Durrësin. Fokus i këtyre vizitave ka qenë rritja e efikasitetit dhe sjellja e energjive të reja në administratën vendore.
Kryeministri ka theksuar se reformimi i stafit drejtues në bashki është i domosdoshëm për të përballuar sfidat që kërkon zhvillimi i vendit, veçanërisht në drejtim të shërbimeve publike dhe qeverisjes lokale.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente