Në një nga lagjet e njohura të Vlorës ka marrë jetë një koncept i ri që tejkalon pritshmëritë e një kafeneje tradicionale. URA Kafe, e hapur në shkurt 2025, është më shumë sesa një vend për të pirë kafe – është një urë që lidh kultura, njerëz dhe përvoja.
Pas këtij rrugëtimi qëndron Caleb Patty, shtetas amerikan/çek, i cili jeton në Vlorë prej 7 vitesh. Së bashku me partnerët e tij, Igor nga Ukraina dhe Lidiany nga Brazili, ai ka sjellë në qytet një përvojë të re të kafesë speciale – të pjekur në vend, me origjinë të vetme dhe shije të veçanta.
“Ne pjekim vetë kafenë tonë dhe e sjellim në një mënyrë ndryshe për qytetarët e Vlorës,” thotë Caleb.
Por ajo që e bën URA Kafe vërtet të veçantë është përkushtimi ndaj komunitetit. Brenda këtij ambienti mikpritës, organizohen vazhdimisht aktivitete sociale dhe bamirësie, si ndihmë për fëmijët dhe gratë në nevojë, shpërndarje ushqimi për të varfërit, trajnime për të rinjtë dhe pritje për mësuesit e shkollave publike.
URA Kafe është kthyer në një pikë takimi për vendasit dhe të huajt duke ofruar një hapësirë për bashkëjetesë, shkëmbim kulturor dhe zhvillim komunitar. Në një qytet si Vlora, ku marrëdhëniet janë thelbësore, ky projekt ka gjetur terren për të lulëzuar.
Caleb, i cili jeton në qytet me bashkëshorten e tij Haley dhe tre fëmijët e tyre të vegjël, e sheh këtë nismë si një mision personal dhe familjar për të kontribuar në jetën sociale dhe kulturore të Vlorës.
URA Kafe është më shumë se një vend ku pihet kafe – është një përvojë që bashkon njerëzit, kulturat dhe qëllimet e mira në zemër të qytetit.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente