Universiteti “Ismail Qemali” fiton UniDebat – Rektorja Saliaj: Studentet janë ambasadore të vlerave akademike

Universiteti “Ismail Qemali” fiton UniDebat – Rektorja Saliaj: Studentet janë ambasadore të vlerave akademike

Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është shpallur fitues i edicionit të parë të konkursit UniDebat, një nismë kombëtare që përfshiu studentë nga universitete publike dhe private në mbarë vendin. Ekipi përfaqësues i universitetit u prit këtë të enjte nga rektorja Aurela Saliaj, e cila e cilësoi këtë arritje si një tjetër dëshmi të nivelit të lartë akademik që universiteti ofron.

“Sot është një moment krenarie të veçantë për universitetin tonë. Presim me kënaqësi ekipin fitues të UniDebatit, të organizuar nga Liburnetics me mbështetjen e Ministrisë së Rinisë dhe ministres Bora Muzhaqi. Kemi studente të shkëlqyera që janë ambasadoret më të mira të universitetit tonë. Ato jo vetëm promovojnë veten dhe i hapin vetes mundësi të reja për të ardhmen, por edhe tregojnë cilësinë e jashtëzakonshme që ky qytet dhe ky universitet prodhojnë,” – u shpreh rektorja Saliaj.

Profesorja Jonida Mehmeti, e cila udhëhoqi ekipin gjatë fazave të garës, tha për BluTV se ndjehet e krenare për paraqitjen e studenteve në këtë konkurs të rëndësishëm:
“UniDebat ishte një konkurs ku morën pjesë universitete nga qytete të ndryshme si Gjirokastra, Shkodra, Durrësi, Elbasani dhe Vlora. Temat ishin të ndërlidhura me rininë, drejtësinë dhe ekonominë, ndërsa vajzat tona i mbrojtën argumentet me profesionalizëm dhe pasion,” – u shpreh Mehmeti.

Ajo shtoi se studentet përfaqësuese ishin të vitit të parë, dhe ky sukses tregon për nivelin e përgatitjes dhe potencialin e tyre të lartë. Vetë vajzat, gjatë pritjes zyrtare, falënderuan universitetin për mundësinë që iu dha për të qenë pjesë e një platforme të tillë zhvillimi dhe përfaqësimi akademik.

Konkursi UniDebat u organizua nga Liburnetics me mbështetjen e Ministrisë së Rinisë dhe kishte për qëllim të inkurajojë mendimin kritik, debatet konstruktive dhe angazhimin e të rinjve në temat më të rëndësishme për shoqërinë. Për Universitetin “Ismail Qemali”, ky është suksesi i radhës në arenën kombëtare, pas fitoreve të tjera në konkurse universitare të zhvilluara me pjesëmarrje rajonale dhe ndërkombëtare.

Lajmi nga: Efrosina Papa
Efrosina Papa

Efrosina Papa

Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.

Komente

-