Një sukses i jashtëzakonshëm për Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës në garën kombëtare “University Law Competition”, ku pas një rrugëtimi të mbushur me sfida dhe përballje intensive, ekipi përfaqësues doli fitues, duke siguruar vendin e parë mes 16 universiteteve pjesëmarrëse nga e gjithë Shqipëria.
Ekipi fitues u përfaqësua nga studentet Kiara Karabinaj, Altea Hoxhaj dhe Bianka Kananaj, të udhëhequra nga prof. Jonida Mehmetaj, e cila luajti një rol kyç si mentore dhe udhëzuese strategjike gjatë gjithë kompeticionit.
Gara zhvillohet në katër raunde, ku studentët testohen në aftësitë e tyre për të hartuar dhe mbrojtur argumente ligjore, përmes prezantimeve, kërkimeve të thelluara dhe seancave të simuluara gjyqësore. Universiteti i Vlorës e nisi rrugëtimin duke mposhtur në raundin e parë Kolegjin Universitar të Biznesit, dhe më pas avancoi me sukses drejt finales.
Falë përgatitjes së shkëlqyer dhe përkushtimit të ekipit, ata arritën të impresionojnë jurinë me njohuritë ligjore, qasjen profesionale dhe zgjidhjet inovative të rasteve të jurisprudencës.
Prof. Jonida Mehmetaj theksoi rëndësinë e besimit në vetvete dhe punës në grup, duke i frymëzuar studentet drejt këtij triumfi. Ajo shtoi se ky është një mesazh i fortë për komunitetin akademik të Vlorës që të vazhdojë të investojë në rritjen cilësore të arsimit dhe talenteve të reja.
Ky sukses është jo vetëm një arritje për universitetin, por edhe një dëshmi e potencialit që studentët shqiptarë kanë në fushën e drejtësisë.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente