Nga viti akademik 2025-2026, Fakulteti i Shëndetit Publik në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës do të ofrojë për herë të parë programin e ri të studimit “Asistencë në Geriatri” – një cikël dyvjeçar i dedikuar të gjithë atyre që dëshirojnë të ofrojnë shërbime asistenciale për moshën e tretë dhe të katërt.
Lajmi është konfirmuar nga dekani i fakultetit, Enkelejd Mehilli, i cili shpjegon se ky program vjen si përgjigje ndaj nevojave në rritje të tregut, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
“Ky është një program i ri, unik për këtë vit akademik, dhe i hapur për të gjithë – pa kufizim moshe. Ai ofron një formim profesional me perspektivë reale punësimi pas përfundimit të studimeve,” – thekson Mehilli.
Programi është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe do të zhvillohet vetëm pranë Fakultetit të Shëndetit Publik në Universitetin e Vlorës. Për të diplomuarit, do të krijohen mundësi konkrete punësimi në qendra të kujdesit për të moshuarit, si në vend, ashtu edhe jashtë kufijve.
“Diploma është e njohur edhe ndërkombëtarisht, ndaj studentët tanë do të kenë avantazh konkurrues në tregun e punës në sektorin e asistencës geriatrike,” – shton dekani.
Ky program përfaqëson një risi të rëndësishme për arsimin profesional dhe shëndetësor në Shqipëri, duke përmbushur një nevojë në rritje të shoqërisë për kujdes cilësor ndaj të moshuarve. Universiteti i Vlorës fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë në këtë degë premtuese për të ndërtuar një karrierë me ndikim human dhe social.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente