Universiteti i Vlorës, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan të Washington District of Columbia, ka nisur një kurs pesë-ditor mbi shkencën e përpunimit të të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Ky program synon të pajisë pjesëmarrësit me aftësi të avancuara në këtë fushë të rëndësishme të teknologjisë, duke përfshirë dhjetë module që mbulojnë të gjitha fazat e përpunimit të të dhënave, nga pastrimi dhe rikonceptimi deri te modelet statistikore dhe rrjetet neuronale.
Në ceremoninë e hapjes, Rektorja e Universitetit të Vlorës, Aurela Saliaj, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, duke theksuar se kursi do të ofrojë studentëve dhe pjesëmarrësve njohuri të përparuara në teknologjinë e të dhënave.
"Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për studentët tanë që të mësojnë nga ekspertë të fushës dhe të zhvillojnë aftësi të reja në përputhje me kërkesat e tregut të punës," u shpreh Saliaj.
Profesor Miftar Ramosacaj, Dekan i Fakultetit të Shkencave Teknike, Profesor Artur Elezi, përfaqësues i Universitetit Amerikan të Washingtonit, dhe Profesor i Asociuar Michael Robinson, ndanë detaje mbi temat që do të trajtohen gjatë pesë ditëve të kursit.
Sipas tyre, programi përfshin tema si: përpunimi i të dhënave, modelimi statistik, inteligjenca artificiale, rrjetet neuronale dhe aplikimet praktike të këtyre teknologjive në fusha të ndryshme.
Ky kurs është pjesë e një serie aktivitetesh akademike dhe shkencore që synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet Universitetit të Vlorës dhe institucioneve të njohura ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik.
Për më shumë informacione dhe zhvillime nga Universiteti i Vlorës, ndiqni Blu TV.
Komente