Nga data 1 gusht 2025, receta mjekësore do të unifikohet në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat duke u zbatuar një model i ri që do të përmirësojë dhe sigurojë procesin e trajtimit të pacientëve. Recetat nuk do të jenë më të shkruara në fletë të zakonshme apo në blloqe që përfshijnë reklama medikamentesh, por do të kenë një format të standardizuar dhe të detajuar.
Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar që me modelin e ri, receta e mjekut apo stomatologut do të përmbajë informacion të detajuar për diagnozën e pacientit, emrin gjenerik të barnave, dozën, si dhe emrin dhe vulën e farmacistit që ekzekuton recetën.
Një nga elementet e rëndësishme të këtij formati të ri është se mjekët do të mund të lëshojnë receta me afat deri në 6 muaj, kryesisht për pacientët kronikë që kërkojnë trajtim afatgjatë. Kjo do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të trajtimeve të vazhdueshme dhe në rritjen e efikasitetit të shërbimit shëndetësor.
Ky hap ka ardhur pas kërkesave të vazhdueshme nga farmacistët, të cilët kanë kërkuar një përmirësim të sigurisë në trajtimin e pacientëve duke siguruar që informacioni mbi medikamentet të jetë më i saktë dhe i lehtë për t’u menaxhuar.
Për më shumë detaje mbi këtë ndryshim dhe implikimet për sistemin shëndetësor qëndroni të informuar me zhvillimet e mëtejshme.
Komente