UKRAINË/RUSI – Forcat speciale të ushtrisë ukrainase, në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU), kanë ndërmarrë një operacion të guximshëm duke goditur bazën ajrore Marinovka në rajonin e Volgogradit, rreth 900 kilometra larg kufirit ukrainas.
Lajmi u konfirmua të premten përmes një njoftimi zyrtar në platformën Telegram, ku thuhet se objektivi i sulmit ishin katër avionë luftarakë Su-34, si dhe struktura teknike ku kryhen mirëmbajtjet e mjeteve ajrore ushtarake.
“Janë goditur katër avionë të tipit Su-34 dhe qendra operacionale e mirëmbajtjes së avionëve,” thuhet në deklaratën zyrtare të autoriteteve ukrainase.
Nga pala ruse nuk ka ende një reagim zyrtar për dëmet e shkaktuara. Guvernatori i Volgogradit, Andrei Bocharov, ka konfirmuar se rajoni Kalanchyovsky – ku ndodhet baza Marinovka – ishte një nga tre zonat e sulmuara nga dronët ukrainas, duke njoftuar edhe kufizime të përkohshme të trafikut në urën mbi lumin Don.
Sulme të vazhdueshme nga Rusia në Ukrainë
Ndërkohë, Ukraina vijon të jetë nën sulme të vazhdueshme nga ushtria ruse. Të premten, një sulm me raketa në qytetin industrial të Samar në juglindje të vendit, shkaktoi vdekjen e pesë personave dhe lëndimin e të paktën 25 të tjerëve.
Guvernatori rajonal Serhiy Lysak bëri të ditur se katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim intensiv në spital. Ky është sulmi i dytë në këtë qytet brenda tri ditësh, pas atij të së martës, ku humbën jetën dy persona në një objekt të infrastrukturës kritike.
Përshkallëzimi i përplasjes mes Ukrainës dhe Rusisë vijon të marrë jetë njerëzish dhe të shënojë dëme të rënda në infrastrukturë, ndërsa lufta ka hyrë në muajt e saj të 29-të pa asnjë sinjal për përfundim të afërt.
Komente