Ujësjellësi dhe menaxhimi i mbetjeve – Bashkia Vlorë drejt zgjidhjes së problematikave kryesore për sezonin turistik

Ujësjellësi dhe menaxhimi i mbetjeve – Bashkia Vlorë drejt zgjidhjes së problematikave kryesore për sezonin turistik

Bashkia e Vlorës po ndjek nga afër zbatimin e projekteve strategjike që lidhen me shërbimet jetike për qytetarët, me fokus të veçantë tek furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i mbetjeve urbane. Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të administratës vendore në ushtrimin e presionit pozitiv për përfundimin dhe vënien në eficencë të këtyre projekteve.

Një nga çështjet më të diskutuara së fundmi ka qenë mungesa e ujit të pijshëm në disa zona të qytetit. Dredha sqaroi se problematika ka ardhur si pasojë e punimeve për lidhjen me linjën e re të ujësjellësit dhe depon e re, e cila tashmë është përfunduar. Sipas tij, ndërhyrja ishte e domosdoshme për modernizimin e sistemit dhe situata ka ardhur drejt përmirësimit, me një furnizim më të qëndrueshëm për qytetarët. “Prej ditës së djeshme, situata është stabilizuar dhe mund të themi se Vlora është më mirë në furnizimin me ujë”, deklaroi ai.

Në fokus të deklaratës së kryebashkiakut ishte edhe menaxhimi i mbetjeve urbane. Dredha konfirmoi se prej 26 prillit, landfildi i Sherishtës është vënë në funksion, por aktualisht vetëm për mbetjet urbane. Projekti, në bashkëpunim me KFW, parashikon që në 3-4 muajt e ardhshëm të nisin procedurat për kapsulimin e fushës ekzistuese të mbetjeve.

Bashkia synon që gjatë sezonit turistik të garantojë furnizim normal me ujë për banorët dhe vizitorët, si dhe një sistem efikas të depozitimit të mbetjeve për të ruajtur pastërtinë e qytetit dhe imazhin e tij si destinacion turistik.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-