Teksa sezoni turistik afrohet me hapa të shpejtë, në Vlorë dhe qytetet e tjera bregdetare ka nisur një tjetër garë: ajo për të gjetur punonjës sezonalë.
Hotelet dhe restorantet po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore vendase, dhe gjithnjë e më shumë po mbështeten te punonjës të huaj, për të mbuluar pozicionet kyçe në sektorin e shërbimit.
Dylba Sherifu, shefe salle në një hotel në Vlorë, tregon:
“Ne jemi shumë të kufizuar me stafin. Ka ditë që më duhet të dal vetë në shërbim, sepse nuk ka kush të vijë në punë. Të rinjtë nuk janë të interesuar për punë sezonale.”
Në të njëjtën linjë është edhe Rajmonda Maskaj, shefe kuzhine në një restorant buzë detit:
“E kam nisur këtë punë nga nevoja, por është e lodhshme kur mungon bashkëpunimi. Çdo ditë kemi nevojë për ndihmë në kuzhinë, sepse nuk ka mjaftueshëm staf.”
Për shkak të kësaj mungese, bizneset në bregdetin vlonjat po kthejnë sytë nga tregjet ndërkombëtare të punës. Punonjës nga Bangladeshi, Filipinet, Madagaskari dhe vende të tjera të largëta janë tashmë pjesë e përditshmërisë në hotele dhe restorante – nga kuzhina dhe pastrimi, deri te mikpritja në recepsion.
Silva Godaj, drejtuese e një agjencie që sjell punonjës të huaj, shpjegon:
“Kërkesat janë shtuar ndjeshëm. Bizneset shqiptare po e kuptojnë se pa mbështetjen e punëtorëve të huaj, sezoni do të jetë i pamundur për t’u përballuar.”
Malala, një punonjëse nga Madagaskari e punësuar si pastruese në një hotel, thotë:
“Jam e lumtur që punoj këtu. Është një mundësi për të ndihmuar familjen time. Kam gjetur respekt dhe mirëkuptim, edhe pse puna është e lodhshme.”
Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë të jugut, thekson se kërkesa për staf është më e lartë se kurrë:
“Ka shumë vende të lira pune. Bizneset kanë nevojë urgjente për punonjës dhe shpalljet për vende pune janë të përditshme. Por interesi i vendasve është thuajse inekzistent.”
Në këtë realitet të ri, ku të huajt mbushin boshllëkun e lënë nga mungesa e fuqisë punëtore vendase, lind një pyetje që nuk ka më nevojë për zbukurime:
A po e humbasim kontrollin mbi një sektor që dikur quhej motori i ekonomisë shqiptare?
Komente