Turizmi në Jug nis me ritme pozitive – Vlora me rritje 15% të vizitorëve që nga marsi, 90% e turistëve të huaj

Turizmi në Jug nis me ritme pozitive – Vlora me rritje 15% të vizitorëve që nga marsi, 90% e turistëve të huaj

Vlorë, 13 qershor – Sezoni turistik i këtij viti ka nisur me pritshmëri të larta, ndërsa në jug të vendit, veçanërisht në Vlorë, sezoni ka startuar që prej muajit mars. Sipas kreut të operatorëve turistikë për jugun, Vasil Bedinaj, deri më tani është shënuar një rritje prej rreth 15% të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë.

Rreth 90% e turistëve që vizitojnë vijën bregdetare nga Vlora në Sarandë janë të huaj, çka tregon për rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik. Referuar rezervimeve ekzistuese dhe prenotimeve të reja, Bedinaj parashikon që trendi pozitiv do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.

Promovimi dhe ngjarjet ndërkombëtare ndikojnë pozitivisht.

Sipas Bedinajt, suksesi i këtij sezoni është ndikuar edhe nga promovimi i vazhdueshëm i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, si dhe nga evente madhore që kanë tërhequr vëmendjen globale, përfshirë Samitin e BE-së në Tiranë, Giro d’Italia dhe panairet ndërkombëtare të turizmit.

Kërkohet më shumë angazhim nga operatorët dhe pushteti lokal.

Megjithatë, kreu i operatorëve turistikë thekson se ka ende nevoja për përmirësim, si nga vetë operatorët ashtu edhe nga autoritetet lokale. “Nevojitet më shumë vëmendje ndaj pastrimit, shërbimeve urbane, ndarjes dhe menaxhimit të plazheve sipas ligjit. Pushteti lokal duhet të jetë tërësisht i përqendruar te turizmi,” thekson ai.

Ndër problematikat kryesore mbetet ndarja ende e papërfunduar e plazheve, çështje që sipas Bedinajt duhet të marrë një zgjidhje urgjente për të garantuar një sezon të suksesshëm dhe me standarde të larta për turistët.

Vlora mbetet një nga destinacionet më të kërkuara si për turistët vendas, ashtu edhe për të huajt, ndërsa pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme të numrit të vizitorëve gjatë gjithë verës.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-