Turist nga Zelanda e Re zhduket në Malin e Krujës, familja kërkon ndihmën e shqiptarëve

Turist nga Zelanda e Re zhduket në Malin e Krujës, familja kërkon ndihmën e shqiptarëve

Një turist nga Zelanda e Re rezulton i zhdukur prej më shumë se 48 orësh në Mali i Gamtit, në zonën e Krujës. Bëhet fjalë për Danielin, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të vizituar bukuritë natyrore të vendit, por ka humbur kontaktet me familjen.

Vëllai i tij, Christopher, ka publikuar një fotografi të Danielit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që, nëse e kanë parë ose kanë ndonjë informacion, të ndihmojnë në gjetjen e tij. Sipas mesazhit të publikuar në rrjetet sociale, vendndodhja e fundit e njohur e turistit ka qenë Mali i Gamtit, mbi 48 orë më parë.

Mali i Gamtit (1268 metra mbi nivelin e detit) ndodhet mes Mali i Krujës dhe malit të Brarit (maja e Priskës së Vogël). Vitet e fundit, ngjitja në këtë mal është kthyer në një itinerar mjaft të frekuentuar për ecje alpine, falë livadheve karakteristike dhe panoramës së gjerë që ofron në të gjitha drejtimet.

Itinerari zakonisht ndiqet përmes rrugës që të çon te Liqeni i Bovillës, nga ku nis ecja drejt majës së Gamtit. E gjithë trasa zgjat rreth 5 orë, duke përfshirë ngjitjen dhe zbritjen.

Familja apelon për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e turistit, ndërsa kërkimet pritet të intensifikohen në orët në vijim. Nëse dikush ka parë Danielin ose ka dijeni për lëvizjet e tij të fundit, ftohet të njoftojë autoritetet ose familjarët.

Lajmi nga: Edi Ruçi
Edi Ruçi

Edi Ruçi

Prej vitesh pjesë e medias në Vlorë. I angazhuar në median lokale dhe kombëtare. Zë krah qytetarëve të Vlorës ku shpesh kritikon anomalitë e qytetit

Komente

-