Kanë kaluar tetë dekada nga shpërthimi i bombës së parë bërthamore mbi Hiroshima, por kujtimet e asaj dite të zezë nuk janë shuar kurrë për ata që mbijetuan, veçanërisht për qindra koreanë që ndodheshin atje në atë mëngjes të 6 gushtit 1945.
Lee Jung-soon, atëherë një vajzë e vogël që shkonte në shkollë, sot 88 vjeçe, tregon sesi u detyrua të largohej në panik me familjen. “Babai na tha të iknim menjëherë. Rrugët ishin plot me të vdekur. Trupat ishin aq të djegur, sa vetëm sytë u shquheshin,” kujton ajo. Në pak sekonda, një qytet me mbi 400 mijë banorë u kthye në hi nga një shpërthim që barazohej me 15 mijë ton TNT.
Ndër viktimat e para dhe të padukshme të asaj tragjedie ishin koreanët – rreth 140 mijë në numër – të cilët jetonin në Hiroshima, shumë prej tyre të detyruar nga kolonizimi japonez për të punuar në fabrika dhe punë të rënda. Më shumë se 70 mijë prej tyre u ekspozuan ndaj rrezatimit, dhe 40 mijë humbën jetën deri në fund të atij viti.
Shim Jin-tae, sot 83 vjeç, drejton Shoqatën Koreane të Viktimave të Bombës Atomike. Ai tregon se pas shpërthimit, ishte detyrë e koreanëve të pastronin qytetin dhe të mblidhnin trupat e vdekur. “Fillimisht përdorëm barela. Por pastaj, thjesht kosha pluhuri... Trupat i dogjëm në oborret e shkollave.”
Sëmundjet e rënda, të trashëguara brez pas brezi, stigmatizimi dhe mungesa e kujdesit mjekësor e kanë ndjekur këtë komunitet për vite me radhë. Han Jeong-sun, një mbijetuese e gjeneratës së dytë, jeton me sëmundje të rënda kockash, ndërsa djali i saj ka lindur me paralizë cerebrale. “Për ata, ne ishim të mallkuar. As Koreja nuk na pranoi, as Japonia nuk na kërkoi ndjesë. Tani, ata kërkojnë prova për atë që kaluam. Po a nuk është vetë kjo dhimbje një provë?”
Vetëm në vitin 2019 qeveria koreane filloi mbledhjen zyrtare të të dhënave për këto viktima. Ndërkohë, Japonia zyrtarisht nuk ka kërkuar falje për trajtimin e koreanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 12 korrik 2025, zyrtarë nga Hiroshima vendosën për herë të parë lule në memorialin e të mbijetuarve në Hapcheon, Kore. Por për shumë nga të prekurit, ky veprim është i vonuar dhe i pamjaftueshëm.
“Paqja pa kërkim falje është e zbrazët,” thotë Junko Ichiba, një aktiviste japoneze për paqen. “Kur historia harrohet, padrejtësia vazhdon të përsëritet.”
Ndërsa koha kalon, të mbijetuarit si Shim Jin-tae nuk kërkojnë vetëm kompensim, por të vërtetën dhe kujtesën. “Trupat tanë mbajnë mend. Dhe kur nuk të dëgjon më askush, historia rrezikon të përsëritet.”
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente