Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar të dielën intensifikimin e operacioneve të deportimit nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) në qytetet e drejtuara nga demokratët, duke e cilësuar këtë si “programin më të madh të deportimeve në masë në histori”.
Në një postim të gjatë në rrjetin e tij Truth Social, Trump deklaroi se “duhet të zgjerojmë përpjekjet për të ndaluar dhe deportuar të huajt e paligjshëm në qytetet më të mëdha të Amerikës, si Los Anxhelos, Çikago dhe Nju Jork, ku jetojnë miliona emigrantë pa dokumente”.
Ai akuzoi këto qytete si “qendra të pushtetit demokrat”, duke përmendur teori të diskredituara se emigrantët e paligjshëm votojnë masivisht në zgjedhje.
Vendimi i Trump erdhi pas protestave të mëdha në qytete si Los Anxhelos, ku bastisjet e ICE nxitën reagime të ashpra dhe përplasje me qytetarët. Për të përballuar situatën, Trump urdhëroi dislokimin e 4,000 trupave të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave, pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve vendore dhe të shtetit të Kalifornisë.
Shteti i Kalifornisë ka ngritur padi për të rikthyer kontrollin mbi trupat e dislokuara, duke argumentuar se Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij.
Në mesazhet e tij, Trump pretendoi se “agjentët e ICE përballen çdo ditë me dhunë, kërcënime dhe frikësim nga politikanët radikalë demokratë”. Ai tha se pavarësisht kësaj, “asgjë nuk do të na ndalojë në realizimin e misionit – deportimin në masë më të madh në histori”.
Duke intensifikuar retorikën përçarëse, Trump akuzoi demokratët se “duan të shkatërrojnë qytetet tona të brendshme” dhe se “besojnë në kufij të hapur, në promovimin e identitetit gjinor për të gjithë dhe në lejimin e meshkujve që të garojnë në sportet e femrave”.
Trump tha se ka urdhëruar gjithë administratën e tij që të mobilizojë çdo burim për të “përmbysur valën e migracionit shkatërrimtar që ka kthyer qytetet tona dikur idilike në pamje distopike të Botës së Tretë”.
“Oficerët tanë të guximshëm duhet ta dinë se amerikanët e vërtetë janë me ju. Ju keni mbështetjen time të palëkundur. Tani, shkoni dhe kryeni misionin!”, përfundoi Trump mesazhin.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente