Trump largohet nga Samiti i G7 për të ndjekur nga afër përshkallëzimin mes Izraelit dhe Iranit

Trump largohet nga Samiti i G7 për të ndjekur nga afër përshkallëzimin mes Izraelit dhe Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të largohet para kohe nga Samiti i G7 në Kanada, për shkak të tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Iranit.

Sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti do të largohet të hënën në mbrëmje pas darkës me krerët e shteteve, për t’u angazhuar drejtpërdrejt në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Fillimisht, Trump kishte refuzuar të firmoste një deklaratë të përbashkët të G7 që bënte thirrje për përmbajtje dhe de-përshkallëzim të konfliktit, por më vonë u bë e ditur se e kishte nënshkruar.

“Për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Presidenti Trump do të largohet sonte,” shkroi sekretarja për shtyp, Karoline Leavitt, në rrjetin X.

Gjatë ditës, presidenti kishte lënë të nënkuptohej se ndodhej nën presion për të ndërhyrë më konkretisht në krizën e re që ka shpërthyer. “Sapo të largohem nga këtu, do të bëjmë diçka. Por duhet të largohem,” u shpreh ai për gazetarët.

Pavarësisht këtij deklarimi, nuk është bërë e ditur se çfarë hapash konkrete synon të ndërmarrë Uashingtoni. Trump kishte planifikuar të merrte pjesë në një takim të martën për konfliktin Rusi-Ukrainë dhe të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por këto takime tashmë janë anuluar për shkak të largimit të tij të parakohshëm.

I pyetur nëse SHBA mund të përfshihej ushtarakisht për të ndihmuar Izraelin në sulmet ndaj Iranit, presidenti Trump u shmang nga përgjigjja: “Nuk dua të flas për këtë.”

Ndërkohë, Leavitt deklaroi se forcat amerikane po qëndrojnë në pozicion mbrojtës dhe nuk ka ndryshime në këtë qëndrim. Edhe pse Izraeli ka kërkuar mbështetje të drejtpërdrejtë nga SHBA për fushatën e tij ushtarake, që sipas Tel Avivit ka për qëllim të ndalojë ambiciet bërthamore të Iranit, Trump deri tani nuk ka shpallur asnjë vendim për përfshirje ushtarake të SHBA-ve, përveç ndihmës për mbrojtjen e Izraelit.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-