Në Tropojë u zhvillua një mbrëmje e mbushur me emocion dhe krenari, ku u shënua një vit nga futja e “K’cimit të Tropojës” në listën e trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s. Ky përvjetor solli një koncert festiv që ndërthurte historinë, artin dhe identitetin shqiptar.
Artistë nga Tropoja, Deçani dhe Gjakova performuan në të njëjtën skenë, duke dëshmuar se K’cimi është një traditë e lashtë që bashkon shqiptarët pavarësisht vendorigjinës. Koncerti u hap me interpretimin e Himnit të K’cimit nga Ram Dollapaj dhe vijoi me numra të shumtë si “Kcim Vendin”, vallet “Sup më sup si malet”, duetet me tupan, si edhe interpretimet e Sherif Margjekajt, Shaban Zenelajt, Mirjeta Celajt dhe një kolazh të fëmijëve të Ansamblit “Folk Trevar”.
Grupi artistik i Deçanit solli motive tradicionale që nënvizuan vlerën e përbashkët të kësaj valleje në gjithë hapësirën shqiptare. Një prej momenteve kryesore ishte fjala e Skënder Haklajt, Mjeshtër i Madh i Artit Popullor dhe një nga nismëtarët që e çuan K’cimin drejt njohjes ndërkombëtare. Ai foli për përgjegjësinë që ky vlerësim sjell për brezat e rinj.
Shoqata “K’cimi i Tropojës” ka propozuar që data 4 dhjetor të shpallet festë e K’cimit, ndërsa salla e kërcimit në pallatin e kulturës të mbajë emrin “K’cimi në UNESCO – Skënder Haklaj”, në nderim të kontributit të tij.
Koncerti u mbyll me një performancë të përbashkët të të gjithë artistëve nën tingujt e “1000 vjet valle Tropoje”, një moment që ngjalli entuziazëm në publik dhe përcolli mesazhin se kultura shqiptare vazhdon të jetojë dhe të zhvillohet, duke i përkitur jo vetëm vendit, por mbarë botës.
Komente