Tregu i trojeve në Sarandë, i dominuar nga të huajt – Rritje e ndjeshme e blerjeve në 3 vitet e fundit

Tregu i trojeve në Sarandë, i dominuar nga të huajt – Rritje e ndjeshme e blerjeve në 3 vitet e fundit

Saranda vijon të tërheqë vëmendjen e qindra mijëra pushuesve të huaj çdo verë, por për shumë prej tyre, qëndrimi nuk mjafton vetëm me pushime. Një pjesë e mirë kthehen si investitorë, duke blerë troje ndërtimi apo apartamente me synimin për zhvillim dhe fitim në afatgjatë.

Bledi Lapa, operator i një prej agjencive imobiliare më aktive në qytet, me mbi 10 vite eksperiencë, thotë për BluTV se në 95% të rasteve, blerësit janë shtetas të huaj. Ai pohon se vetëm në tre vitet e fundit, blerjet janë rritur me 300%, një shifër që flet qartë për dinamikën që ka marrë ky treg.

Pse pikërisht Saranda? Përveç klimës dhe pozitës gjeografike, ndodhja e saj pranë kufirit me Greqinë dhe në portat e Bashkimit Evropian shihet nga investitorët e huaj si një siguri shtesë për investime afatgjata në pasuri të paluajtshme. Një tjetër avantazh i përmendur nga Lapa janë çmimet ende të favorshme krahasuar me vendet e tyre të origjinës apo edhe me tregjet fqinje si Mali i Zi dhe Greqia.

Procedurat e thjeshtuara për blerje janë gjithashtu një pikë kyçe: “Në maksimum, një blerje mund të mbyllet brenda 4 javësh,” thotë Lapa, duke nënvizuar lehtësitë që ofron sistemi aktual për të huajt që kërkojnë të blejnë pronë në Shqipëri.

Sa i takon profilit të blerësve, fillimisht tregu u dominua nga shtetas të vendeve skandinave dhe italianë. Por në vitet e fundit, sipas të dhënave nga operatorët imobiliarë, vendin e parë e kanë marrë polakët dhe çekët, ndërsa po shtohen ndjeshëm kërkesat edhe nga gjermanët dhe austriakët. Edhe shqiptarët e diasporës po shfaqin gjithnjë e më shumë interes për të investuar në pasuri në vendlindje, duke ndjekur trendin europian.

Me hyrjen e sezonit veror në kulmin e tij, pritet që tregu i trojeve dhe apartamenteve në Sarandë të njohë një gjallërim të mëtejshëm, duke e konsoliduar këtë qytet si një nga destinacionet më të lakmuara për investime bregdetare në Shqipëri.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-