Trashëgimia Kulturore Shpirtërore – Këpucët e dorës prej lëkure të familjes shqiptare në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Trashëgimia Kulturore Shpirtërore – Këpucët e dorës prej lëkure të familjes shqiptare në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Gjatë eksplorimit nëpër rrugicat e Çarshisë së Vjetër pata fatin e mirë të zbuloja një tjetër diamant të çmuar të trashëgimisë kulturore shqiptare – një traditë që rrezaton bukuri, mjeshtëri dhe shpirt brezash.
Në zemër të Çarshisë së Vjetër, ndodhet familja shqiptare e Raufit dhe vajzës së tij Aidës të cilët prej dekadash janë të specializuar në mjeshtërinë e punimit të këpucëve prej lëkure. Prej 45 vitesh, Raufi është i apasionuar pas këpucëve të punuara me dorë – një pasion që e ka kthyer në stil jete dhe trashëgimie familjare.

“Jam i apasionuar pas këpucëve prej lëkure,” – thotë ai me krenari, ndërsa punon çdo detaj me dorë, nga fillimi deri në fund duke përdorur lëkurë natyrale të sjellë nga Maqedonia dhe vendet fqinje të Ballkanit. Çdo palë këpucësh apo sandalesh, për të gjitha moshat dhe madhësitë është një dëshmi e trashëgimisë që mbijeton me kohën.

Sot, është Aida ajo që drejton biznesin krahas babait duke e ruajtur këtë traditë dhe duke e përcjellë me dashuri te brezat e rinj. “Të gjithë nga e gjithë bota i duan këpucët tona,” thotë ajo, teksa dyqani i tyre mikpret vizitorë nga çdo cep i globit që ndalen për të përjetuar këtë art tradicional nga afër.

Raufi mbetet gjithashtu një zë krenar për trashëgiminë kulturore shqiptare në Maqedoni. “Maqedonia, toka është shtëpi por ne jemi popull shqiptar,” thekson ai, duke kujtuar sfidat historike për ruajtjen e gjuhës shqipe, një gjuhë e lashtë indoevropiane që pavarësisht ndikimeve osmane dhe periudhave të shtypjes, ka mbijetuar e gjallë në çdo familje shqiptare.

Këpucët e punuara me dorë nuk janë vetëm bukë për duart e artizanëve por edhe identiteti i gjallë i një populli – një formë e trashëgimisë shpirtërore që nuk shkruhet në libra por ruhet dhe përçohet përmes brezave.

Në Çarshinë e Vjetër, mes aromës së historisë dhe zërit të daltës në lëkurë, familja e Raufit dhe Aidës është një shembull i gjallë i shpirtit shqiptar që nuk shuhet – por rrezaton përmes traditës dhe pasionit.

Lajmi nga: BLU TV Reports
Media e dytë

Komente

-