Ushqimi është më shumë se një nevojë. Është kujtesë, histori dhe trashëgimi. Në Çarshinën e Vjetër të Shkupit, një prej familjeve shqiptare që ruan me krenari traditat e ëmbëlsirave dhe mikpritjes është familja Nexho – me kafenenë e tyre të vogël të ëmbëlsirave, që prej 20 vitesh është kthyer në ndalesë të përhershme për banorët dhe vizitorët vendas e të huaj.
Medo, djali i themeluesit të ëmbëltores “Nexho”, ndau me ne kujtime dhe histori familjare, që nga fillimet e biznesit deri te ndjesia e thellë që trashëgimia kulturore përcjell në çdo cep të kësaj hapësire unike.
Familja Nexho është pjesë e brezave shqiptarë që prej shumë kohësh kanë jetuar e ndërtuar identitetin e tyre në Çarshinën e Vjetër. Nëpërmjet ëmbëlsirave si trileçja apo bakllavaja tradicionale, të shërbyera me çaj turk, ata mbajnë gjallë një kulturë që ndryshe do të rrezikonte të harrohej.
Medo tregon se babai i tij mësoi mjeshtërinë e përgatitjes së bakllavasë në Stamboll dhe e solli në Shkup, duke hapur ëmbëltoren në zemër të Çarshisë. Pavarësisht ritmit të përditshëm të punës, familja mblidhet çdo mbrëmje për të ngrënë darkën së bashku – një moment i shenjtë i ruajtur nga nëna e shtëpisë.
Kujtimet e të kaluarës – si ato të gjyshërve që prisnin përgjatë lumit Vardar për të parë kalimin e Titos, apo të fëmijërisë së kaluar në ujërat e Vardarit gjatë verës – janë trashëgimi e paprekshme që përcillet përmes brezave dhe ruhet në shpirtin e çdo pjese të Çarshisë.
Medo është aktualisht student në drejtësi, me profil në shkencat forensike në Universitetin Evropian të Juglindjes, ku mësimi zhvillohet në shqip. Me krenari pohon se identiteti i tyre është shqiptar – një ndjesi mirënjohjeje për historinë dhe origjinën, pas shekujsh jetese në Maqedoni.
Të gjitha bizneset shqiptare në Çarshinë çdo mëngjes nisin ditën me një kafe së bashku, duke ruajtur jo vetëm jetën e tregut por edhe komunitetin.
“Të bësh familjen të lumtur është më e rëndësishme se paratë” – është një nga thëniet që nëna e Medos u përsërit shpesh. E thjeshtë, por thelbësore. Pikërisht në këtë mendim qëndron edhe vetë përkufizimi më i pastër i trashëgimisë shpirtërore.
Familjet si ajo e Nexhos janë shtylla të kulturës shqiptare në Maqedoni dhe mbartësit e një trashëgimie që nuk shkruhet vetëm në libra por që jetohet çdo ditë me pasion, përkushtim dhe krenari.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente