Trashëgimia Kulturore e Paprekshme përmes ushqimit – Rrugëtimi i familjes shqiptare në “Kosmos”, Çarshia e Vjetër e Shkupit

Trashëgimia Kulturore e Paprekshme përmes ushqimit – Rrugëtimi i familjes shqiptare në “Kosmos”, Çarshia e Vjetër e Shkupit

Ndalesa e radhës në eksplorimin tim nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit më çoi drejt një historie të veçantë, që gërsheton ushqimin, familjen dhe trashëgiminë kulturore.
Në mes të aromave tradicionale dhe rrugicave me gurë, u ndala në një biznes familjar që prej katër brezash ruan dhe servir me krenari shijen autentike të kuzhinës shqiptare. Aty ku zjarri i skarës nuk fiket kurrë dhe gjuha shqipe kumbon çdo ditë Këtu kuptova se ushqimi është shumë më tepër sesa një pjatë – është histori, kujtesë dhe identitet.

Në vitet 1950, një familje shqiptare nga një fshat në jug të Kosovës u vendos në Shkup. Katër breza më vonë, ata vijojnë të ruajnë dhe të ndajnë me komunitetin vendas dhe turistët traditën e shijshme të kuzhinës shqiptare, përmes lokalit të tyre “Kosmos”, në zemër të Çarshisë së Vjetër.

Një prej pronarëve të tanishëm, Sabiti, rrëfen me krenari historinë e familjes së tij dhe mënyrën se si kanë arritur ta mbajnë gjallë këtë trashëgimi të gjallë për më shumë se 40 vite. Ndërkohë që ai fliste me ne, babai i tij vazhdonte të punonte pranë skarës, duke u kujdesur për klientët me të njëjtin përkushtim që i karakterizon prej dekadash.

Trashëgimia kulturore e paprekshme është pjesë e gjallë e shoqërisë. Ushqimi, si pjesë e “foodways”, përfaqëson praktikat kulturore, sociale dhe ekonomike që lidhen me prodhimin dhe konsumimin e ushqimit. Pikërisht këtë rol ka “Kosmos” në Çarshinë e Vjetër – një model unik i ruajtjes së vlerave përmes traditës ushqimore familjare.

Më 5 dhjetor 2024, gjatë sesionit të nëntëmbëdhjetë ndërqeveritar për trashëgiminë kulturore të UNESCO-s, u diskutua për mbrojtjen e konsumit dhe prodhimit të ushqimeve tradicionale. Rasti i “Kosmos” është një shembull i gjallë i kësaj përpjekjeje në rajonin tonë.

Përveç ushqimit, familja ka ruajtur edhe gjuhën shqipe, falë vlerave të forta familjare dhe lidhjeve të ngushta mes brezave. Gjuha dhe tradita bashkëjetojnë në këtë hapësirë, e cila mirëpret jo vetëm banorët lokalë, por edhe turistë të shumtë që vizitojnë Shkupin.

Menuja e “Kosmos” përfshin kofte të pjekura në skarë, fasule, sallatë sopska, kos dhe perime të grilluara – pjesë e kuzhinës tradicionale shqiptare dhe ballkanike, që shijohet çdo ditë nga vendas dhe të huaj.

Ruajtja e kësaj trashëgimie në kohët moderne varet nga bartësit e fortë të familjes dhe nga zgjedhjet që bëjnë për të mbetur besnikë ndaj rrënjëve të tyre.

Çarshia e Vjetër dhe biznese si “Kosmos” janë shembuj të rrallë që dëshmojnë se tradita mund të mbijetojë përmes pasionit, përkushtimit dhe vlerave familjare.

Faleminderit, Sabit, për mikpritjen dhe rrëfimin!

Lajmi nga: BLU TV Reports
Media e dytë

Komente

-