Transferta e pakushtëzuar për bashkitë rritet me 9% në 2026, por fondet shpërndahen në mënyrë të pabarabartë

Transferta e pakushtëzuar për bashkitë rritet me 9% në 2026, por fondet shpërndahen në mënyrë të pabarabartë

Transferta e pakushtëzuar që qeveria akordon çdo vit për bashkitë pritet të rritet me 9% në vitin 2026, duke arritur në 46 miliardë lekë nga 42 miliardë që është këtë vit. Megjithatë, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se rritja nuk është e njëtrajtshme për të gjitha bashkitë.

Fieri kryeson listën me rritjen më të lartë të fondeve, plot 15% më shumë se një vit më parë, duke kaluar nga 1.6 në 1.8 miliardë lekë. Më pas renditet Këlcyra me 14.2%, ndërsa Roskoveci, Mallakastra dhe Dropulli regjistrojnë rritje nga 12% deri në 13.6%. Bashkitë Kamëz, Berat, Finiq, Lushnjë, Kukës dhe Mat kanë gjithashtu rritje të konsiderueshme prej rreth 11–12%.

Në nivel të mesëm rritjeje qëndrojnë bashkitë e mëdha si Elbasani dhe Korça me 10.4% dhe Vlora me 11%. Bashkitë bregdetare Saranda dhe Himara kanë rritje më të ulët, respektivisht 6.9% dhe 9.9%.

Tirana, bashkia më e madhe në vend, ka një rritje prej 9%. Edhe pse përqindja është më e ulët se në disa bashki të tjera, vlera totale e transfertës mbetet më e larta në vend: 6.5 miliardë lekë për vitin e ardhshëm, nga 6 miliardë këtë vit.

Bashkitë e tjera të mesme dhe të vogla, si Shkodra, Gjirokastra, Dibra, Kurbin, Cërriku dhe Kruja, variojnë në rritje 8–9%. Në fund të listës gjenden Pusteci me 6.8%, Himara me 6.9% dhe Përmeti me rritjen më të ulët, vetëm 4.7%.

Të dhënat tregojnë se edhe pse rritja është e përgjithshme, shpërndarja e fondeve ndryshon ndjeshëm nga një bashki në tjetrën. Formula e financimit merr në konsideratë numrin e banorëve, sipërfaqen dhe nevojat financiare, por shpesh shpërndarja nuk është plotësisht proporcionale.

Në disa raste, bashkitë me popullsi më të madhe nuk përfitojnë domosdoshmërisht fonde më të larta, ndërsa bashki më të vogla marrin më shumë financime për frymë. Kjo vjen nga fakti se shpesh fondet lidhen me projekte të nisura më herët, të cilat kërkojnë vazhdimësi financiare.

Ndërkohë, grantet e pakushtëzuara mbështesin shërbimet bazë, por për shumë bashki ato mbeten më të ulëta se nevojat reale. Edhe grantet konkurruese, si ato të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, shpesh përqendrohen te bashkitë me kapacitete më të mira teknike për hartimin e projekteve, duke krijuar diferenca të tjera në shpërndarjen e fondeve.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-