Në lagjen Zinxhira të qytetit të Gjirokastrës, një ngjarje tronditëse ka tronditur banorët dhe opinionin publik: një grua e moshuar ndërroi jetë dje teksa kërkonte vetëm një pikë ujë për të lagur buzët. Ajo nuk ia doli. Nuk gjeti ujë. Dhe u shua mes etjes dhe harresës.
Furnizimi me ujë në këtë lagje zgjat vetëm 15 minuta në ditë, tregojnë banorët, të cilët përballen çdo ditë me mungesën e ujit të pijshëm dhe kushte të rënda higjieno-sanitare. Një realitet i dhimbshëm, sidomos në një kohë kur temperaturat janë përvëluese dhe nevojat për ujë jetike.
Ironikisht, në vitin 2018, kjo zonë ishte pjesë e një inaugurimi zyrtar për një ujësjellës të ri, që u prezantua me bujë si projekt që do t’u siguronte banorëve furnizim 24 orë në ditë me ujë të pijshëm. Por premtimet u lanë në letër. Uji nuk erdhi kurrë. Fjalët mbetën në kamera, ndërsa jetët e njerëzve – në vuajtje të përditshme.
“Ne nuk jemi qytetarë të dorës së dytë,” thonë banorët me zë të ngjirur por që s’e kanë humbur ende dinjitetin. Ata nuk kërkojnë lëmoshë – kërkojnë ujë, kërkojnë barazi, kërkojnë të trajtohen si pjesë e qytetit.
Një realitet i hidhur: varfëri, papastërti, dhe harresë institucionale
Lagjja Zinxhira është e populluar kryesisht nga komuniteti rom. Banorët jetojnë pa ujë për t’u larë, për të gatuar apo për të pirë. Fëmijët kalojnë ditë të tëra të papastër dhe të uritur. Të rriturit përballen me poshtërimin e mungesës së kushteve bazë për një jetë dinjitoze. Mbeturinat grumbullohen për ditë me radhë, ndërsa aroma e rëndë dhe temperaturat e larta e bëjnë jetesën edhe më të vështirë.
“Na kujtohen vetëm në kohë fushatash,” thonë të zhgënjyer banorët. Ata e theksojnë se votën ia kanë dhënë Partisë Socialiste, por sot nuk ndihen të përfaqësuar. Thirrja e tyre është e drejtpërdrejtë: “Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi të kthejë sytë nga kjo lagje.”
Jo më vonë – tani është koha për veprim
Tragjedia e kësaj gruaje të moshuar është më shumë se një humbje njerëzore. Është një dështim shoqëror dhe institucional. Një alarm që duhet të zgjojë ndërgjegjen tonë kolektive.
Nëse në Shqipërinë e vitit 2025 dikush vdes sepse nuk ka ujë për të pirë, atëherë nuk mund të flasim më për mungesë investimesh por për mungesë përgjegjshmërie.
Banorët e Zinxhirës kërkojnë dinjitet, ujë dhe trajtim të barabartë. Dhe kjo nuk është vetëm detyrë e bashkisë. Është detyrë e të gjithëve.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente