Tragjedi në Vlorë - Humb jetën turistja ukrainase, në gjendje kritike vajza e saj 18-vjeçare

Tragjedi në Vlorë - Humb jetën turistja ukrainase, në gjendje kritike vajza e saj 18-vjeçare

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në një nga plazhet e zonës së Lungomares në Vlorë, ku nënë e bijë me shtetësi ukrainase janë futur në det dhe kanë kërkuar ndihmë, por për fat të keq vetëm njëra ka mundur të mbijetojë.

Sipas informacioneve paraprake, 44-vjeçarja ka humbur jetën, ndërsa vajza e saj 18-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, e intubuar në spitalin e Vlorës.

Momentet e para të ngjarjes: Ndihma erdhi nga pushuesit
Turistet u panë nga pushuesit dhe një punonjës i një plazhi pranë, teksa po kërkonin ndihmë në ujë. Shtetasi Fitim Bozhaku, i cili ishte i pari që ndërhyri, dhe dëshmitarë të tjerë në vendngjarje rrëfyen për BluTV momentet dramatike të shpëtimit.

“I pamë që po kërkonin ndihmë, ishin shumë larg dhe valët ishin të forta. I nxorrëm me shumë vështirësi në breg, por ishin pa ndjenja”, tha një prej pushuesve.

Të pranishmit theksojnë se ndihma mjekësore dhe policore ka mbërritur me vonesë, ndërsa mungesa e vrojtuesve të plazhit mbetet një shqetësim serioz për sigurinë e pushuesve.

Spitali i Vlorës: Njëra pa shenja jete, tjetra në intubim
Edmond Breshanaj, shefi i Repartit të Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, konfirmoi për BluTV se në momentin e mbërritjes, gruaja ishte pa shenja jete dhe nuk mundi të rikuperohej, ndërsa vajza ndodhet në terapi intensive.

“Fatkeqësisht, 44-vjeçarja nuk kishte puls dhe nuk u rikthye, ndërsa vajza ndodhet në gjendje shumë të rëndë, e intubuar”, tha Breshanaj.

Policia shoqëron 6 persona për sqarime
Grupi hetimor dhe shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje, ndërkohë që 6 persona janë shoqëruar për të dhënë deklarime, përfshirë punonjës të plazhit dhe dëshmitarë të ngjarjes.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-