Prizren, 6 maj 2025 – Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në qytetin e Prizrenit, ku një 44-vjeçar ka sulmuar me thikë dy vajzat e tij, duke shkaktuar vdekjen e njërës dhe plagosjen e rëndë të tjetrës.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 05:57 është marrë një telefonatë urgjente për një rast dhune familjare në rrugën “Shote Galica”. Në vendngjarje u dërguan menjëherë katër patrulla policore, pas raportimeve se një person i armatosur me thikë po pengonte ndërhyrjen e ekipit mjekësor.
Policia ka konfirmuar se i dyshuari, M.G., i lindur në vitin 1981, kishte qëlluar me thikë vajzat e tij: njëra prej tyre, 15 vjeç, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetra, 11 vjeçe, ndodhet në gjendje kritike dhe është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të specializuar.
Edhe bashkëshortja e autorit ka pësuar lëndime, ndërkohë që i dyshuari, pas aktit të rëndë, ka tentuar të vetëdëmtohet dhe aktualisht ndodhet nën trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Policia ka arrestuar autorin dhe po heton motivet e ngjarjes. Bëhet e ditur se familja është me shtetësi turke dhe me qëndrim të përkohshëm në Kosovë.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë nën drejtimin e organeve të drejtësisë.
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente