Tragjedi në Irak: Të paktën 61 të vdekur nga zjarri masiv në një qendër tregtare në qytetin e Kutit

Tragjedi në Irak: Të paktën 61 të vdekur nga zjarri masiv në një qendër tregtare në qytetin e Kutit

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mbrëmjen e së mërkurës një qendër të madhe tregtare në qytetin lindor të Kutit në Irak, duke shkaktuar një bilanc tragjik prej të paktën 61 viktimash dhe dhjetëra të plagosur.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Irakut, zjarri shpërtheu në godinën pesëkatëshe të “Al-Kornish Hypermarket”, vetëm shtatë ditë pas hapjes së saj zyrtare. Viktimat – burra, gra dhe fëmijë – shumica humbën jetën si pasojë e asfiksimit në tualetet e ndërtesës, ku ishin strehuar për t’iu shmangur flakëve dhe tymit të dendur.

Pamjet filmike të verifikuara tregojnë ndërtesën të përfshirë nga flakët, ndërsa dhjetëra persona kërkonin ndihmë nga çatia. Ekipet e mbrojtjes civile arritën të shpëtojnë mbi 45 persona që ndodheshin brenda, duke rrezikuar jetën e tyre mes zjarrit dhe tymit të dendur.

Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, ka urdhëruar dërgimin e ekipeve të specializuara mjekësore për ndihmë emergjente, si dhe ka kërkuar një hetim të menjëhershëm për shkaqet e zjarrit. Ministri i Brendshëm, Abdul Amir Al-Shammari, njoftoi krijimin e një komiteti hetimor të nivelit të lartë që do të përcaktojë përgjegjësitë dhe çdo shkelje të mundshme të standardeve të sigurisë.

Guvernatori i rajonit të Wasitit, Mohammed Jameel Al-Mayahi, ka shpallur tre ditë zie për viktimat dhe njoftoi se pronarit të godinës i është ngritur një padi penale. Autoritetet thanë se rezultatet paraprake të hetimit do të bëhen publike brenda 48 orëve.

Ngjarja e rëndë vjen në vazhdën e një sërë incidentesh të ngjashme në Irak, ku mungesa e masave të sigurisë dhe infrastruktura e amortizuar janë shpesh shkaktarë të tragjedive. Kujtojmë se në vitin 2021, një zjarr në një spital në Bagdad mori jetën e mbi 80 pacientëve, ndërsa në shtator 2023, një tjetër zjarr në një sallë dasmash në Qaraqosh la të paktën 100 të vdekur.

Hetimet për rastin e fundit në Kut mbeten në zhvillim.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-