Tragjedi në Indi – Shembet ura në Gujarat, të paktën 9 të vdekur dhe disa të zhdukur

Tragjedi në Indi – Shembet ura në Gujarat, të paktën 9 të vdekur dhe disa të zhdukur

Të paktën 9 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas shembjes së një ure mbi lumin Mahisagar, në shtetin perëndimor të Indisë, Gujarat. Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në distriktin Vadodara, një zonë që ditët e fundit është përballur me reshje të dendura shiu.

Sipas raportimeve të agjencisë Press Trust of India, një segment i urës u shemb papritur duke rrëzuar disa automjete në lumë. Ministri i Shëndetësisë i Gujarat-it, Rushikesh Patel, konfirmoi se pesë persona janë shpëtuar, ndërsa punonjës të emergjencave dhe banorë vendas vijojnë kërkimet për të zhdukurit.

Ura, e ndërtuar në vitin 1985, lidhte Vadodara-n me pjesën qendrore të Gujarat-it dhe kishte trafik të dendur. Sipas dëshmitarëve, përplasja u ndje si një shpërthim apo tërmet. “Dëgjuam një zhurmë të fortë, si eksplodim. Pjesa e pasme e urës u shemb dhe automjeti ynë filloi të rrëshqasë prapa. Arritëm të hidhemi jashtë në kohë,” tregon Anwarbhai, një prej të mbijetuarve.

Pamje dramatike tregojnë një kamion që qëndronte në mënyrë të rrezikshme në buzë të urës së shembur, i cili më pas u zhvendos në mënyrë të sigurt. Automjete të tjera, përfshirë makina, kamionë dhe një tuktuk, përfunduan në ujë.

Ekipet e Ndihmës dhe Reagimit ndaj Katastrofave kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit. “Prioriteti ynë është të kontrollojmë zonën dhe të shpëtojmë çdo të mbijetuar apo të rikuperojmë trupat,” deklaroi për mediat zyrtari Surender Singh.

Kryeministri Narendra Modi reagoi pas ngjarjes, duke e cilësuar si “thellësisht tronditëse” dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

Kujtojmë se India ka pasur një histori të gjatë problematikash me infrastrukturën publike, shpesh të shoqëruar me incidente të rënda. Vetëm në vitin 2022, një urë e vjetër me kabllo në të njëjtin shtet u shemb, duke marrë jetën e të paktën 132 personave.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-