Tragjedi në botën e futbollit -  Diogo Jota humb jetën në aksident tragjik në Spanjë

Tragjedi në botën e futbollit - Diogo Jota humb jetën në aksident tragjik në Spanjë

Zamora, Spanjë – 3 korrik 2025 – Futbolli portugez dhe ai ndërkombëtar është zhytur në zi pas lajmit tronditës se ylli i Liverpool-it, Diogo Jota, ka humbur jetën në një aksident automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.

Sipas Gjykatës Civile Spanjolle, aksidenti ndodhi pak pas mesnatës në komunën Cernadilla, në provincën e Zamorës. Automjeti me të cilin udhëtonin Jota dhe vëllai i tij doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e të dyve në vend.

“Gjithçka tregon se aksidenti ndodhi për shkak të një shpërthimi të gomës gjatë një manovre parakalimi,” thuhet në deklaratën zyrtare të autoriteteve spanjolle.

Një humbje e madhe për futbollin portugez
Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proenca, reagoi me një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke e cilësuar Jotën si një "njeri të jashtëzakonshëm" dhe "referencë për komunitetin e tij".

“Kemi humbur dy kampionë. Vdekja e Diogo-s dhe Andre-së është një humbje e pakthyeshme për futbollin portugez. Do të bëjmë gjithçka për të nderuar trashëgiminë e tyre çdo ditë,” u shpreh Proenca.

Ai bëri të ditur gjithashtu se kanë kërkuar nga UEFA një minutë heshtje përpara ndeshjes së Portugalisë ndaj Spanjës në Euro 2025 për femra që zhvillohet të enjten në Zvicër.

Nga fushat e lavdisë, në një fund tragjik
Vetëm pak ditë më parë, më 22 qershor, Diogo Jota kishte kurorëzuar dashurinë me partneren e tij Rute Cardoso, duke ndarë një video nga dasma në Instagram. Ajo mbeti si postimi i tij i fundit para aksidentit tragjik.

Jota, 28 vjeç, ishte një nga lojtarët më të spikatur të Liverpool-it në sezonin që lamë pas, duke shënuar nëntë gola në të gjitha kompeticionet dhe ndihmuar skuadrën të siguronte titullin e 20-të të Premier League.

Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë pjesë e Atletico Madrid, Porto dhe Wolverhampton Wanderers, përpara se të transferohej te Liverpool, ku fitoi zemrat e tifozëve me talentin dhe pasionin e tij në fushë.

BluTV i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Jota dhe gjithë komunitetit të futbollit.

Për më shumë lajme nga sporti dhe zhvillimet ndërkombëtare, qëndroni me BluTV.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-