VLORË - Trafiku në "Rrugën e Re", një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, po bëhet çdo ditë e më shumë një shqetësim për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Qarkullimi është ngarkuar gjithnjë e më shumë, veçanërisht gjatë orëve të pikut, duke shkaktuar vonesa, tension, dhe vështirësi për të lëvizur.
Një nga shkaqet kryesore të këtij kaosi është bllokimi i përkohshëm i lëvizjes në disa segmente të Bulevardit të Palmave dhe të Agrumeve, për shkak të punimeve të vazhdueshme që po kryhen atje. Kjo ka sjellë devijimin e trafikut në “Rrugën e Re”, duke e bërë atë shumë më të ngarkuar se zakonisht.
Problemi bëhet më i thellë edhe nga operimi i shpeshtë i furgonëve interurbanë në këtë aks, të cilët ndalojnë në mënyrë të çrregullt, pa një stacion të caktuar. Kjo sjell bllokim të lëvizjes dhe kaos në trafikun e përditshëm.
Qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të organizuar më mirë trafikun, për të vendosur stacione të posaçme për furgonët, dhe për të rritur praniën e policisë rrugore, që aktualisht është e pamjaftueshme për të menaxhuar këtë situatë problematike.
Aktualisht, mungesa e sinjalistikës, ndalesat e pakontrolluara dhe fluksi i lartë i automjeteve kanë bërë që “Rruga e Re” të kthehet në një nyje të ngarkuar dhe të vështirë për t’u menaxhuar.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente