Fundjava ka sjellë trafik të rënduar në disa nga akset kryesore të qytetit të Vlorës, për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të pushuesve, vendas dhe të huaj, që kanë zgjedhur vijën bregdetare për të kaluar ditët e nxehta të verës.
Rruga Transballkanike dhe segmentet përgjatë vijës bregdetare kanë regjistruar një fluks të lartë automjetesh, duke krijuar vështirësi në lëvizje dhe bllokime të herëpashershme. Edhe pse policia rrugore ka vendosur efektivë në disa prej pikave më problematike, sërish trafiku i rënduar ka bërë të vështirë qarkullimin normal të automjeteve.
Situata reflekton interesin në rritje për Vlorën, që po konfirmohet si një nga destinacionet më të preferuara turistike, si për bukuritë natyrore, ashtu edhe për ofertën turistike që ofron qyteti.
Një situatë e tillë pritet të vijojë gjatë gjithë sezonit veror, veçanërisht në fundjavë, kur numri i vizitorëve rritet ndjeshëm dhe qyteti popullohet përtej kapacitetit të zakonshëm. Autoritetet bëjnë apel për kujdes dhe durim në qarkullim, ndërsa po shqyrtohen masa të mëtejshme për lehtësimin e lëvizjes në pikat kyçe të qytetit.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente