Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Toni Gogu, deklaroi sot në Kuvend se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është konsensusi më i madh kombëtar dhe një nga arritjet më domethënëse të viteve të fundit.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Gogu theksoi se Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së dhe është afër “agimit të vitit 2030”, kur pritet të bëhet pjesë zyrtare e familjes evropiane.
“Sot integrimi evropian është konsensusi më i madh kombëtar që kemi. Shqipëria është në një moment kyç, dhe kjo u reflektua edhe në punën e Këshillit, ku pavarësisht sfidave, puna ka vijuar me përkushtim dhe stoicizëm,” – tha Gogu.
Shqipëria, lider në rajon për integrimin
Sipas Gogu, vendi ka hapur deri më tani pesë grup-kapituj në negociatat me BE-në, ndërsa grupi i gjashtë pritet të hapet këtë vjeshtë.
Ai theksoi gjithashtu se politika e jashtme e Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian dhe se vendi ynë shihet si partner strategjik dhe i sigurt në Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria është udhëheqëse në rajon dhe këtë nuk e thonë vetëm institucionet evropiane, por edhe qytetarët shqiptarë që ndjejnë këtë progres,” – u shpreh ai.
Përgjigje ndaj kritikave dhe sulmeve politike
Në fjalën e tij, Gogu reagoi ndaj deklaratave të opozitës, veçanërisht ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili e ka cilësuar Shqipërinë si "narkoshtet".
“Fermerët, mësuesit, zjarrfikësit punojnë çdo ditë për këtë vend. Nuk mundet që personi që simbolizon korrupsionin në Shqipëri të hedhë baltë mbi arritjet që janë të prekshme për çdo qytetar,” – tha Gogu.
Ai theksoi se raportet ndërkombëtare flasin qartë për progresin e Shqipërisë dhe se kritikat duhen parë si nxitje për të përmirësuar më tej punën.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente