Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, konfirmoi në një intervistë televizive se gjatë javëve të fundit në vend janë regjistruar gjashtë raste me COVID-19, por theksoi se nuk ka asnjë të dhënë që këto raste të lidhen me nënvariantin e ri të raportuar në SHBA.
Sipas Tominit, varianti i ri po monitorohet nga strukturat ndërkombëtare dhe çdo mutacion potencial vlerësohet me seriozitet. Ndërkohë, ISHP vijon monitorimin paralel të gripit dhe COVID-19, edhe pse në këtë periudhë të verës rastet janë të izoluara dhe nuk paraqesin ndonjë rrezik të shtuar për popullatën.
“Situata është e qetë nga vlerësimi epidemiologjik, por masat e higjienës dhe kontrollit respirator duhen respektuar me përpikmëri, sidomos në ditët me temperatura të larta”, u shpreh Tomini.
Ajo bëri apel për kujdes në shfaqjen e simptomave si rrufa, temperatura, dhimbje fyti apo koka, të cilat janë të zakonshme për virozat, por mund të jenë shenja të infeksioneve respiratore, përfshirë edhe COVID-19.
Tomini nënvizoi se COVID-19 është i pranishëm gjatë gjithë vitit, pavarësisht se nuk jemi në sezon gripi. Ajo shtoi se infeksionet pulmonare janë të pranishme në këtë periudhë për shkak të ndryshimeve të temperaturave, por në një shkallë shumë më të ulët se në muajt e dimrit.
Nga survejanca e ISHP deri më tani nuk janë konfirmuar raste me grip, ndërsa rastet me alergji stinore dhe infeksione të lehta respiratore janë të zakonshme për verën, por nuk përbëjnë shqetësim të shtuar.
Institucionet shëndetësore mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të situatës epidemiologjike.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente