Tiranë - 54 shoferë në hetim për parkim të gabuar

Tiranë - 54 shoferë në hetim për parkim të gabuar

Policia Rrugore e Tiranës ka publikuar bilancin e masave të marra gjatë javës së kaluar ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë cënuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në rrugë. Sipas njoftimit të policisë, 54 shtetas janë proceduar penalisht për parkim të gabuar, duke bllokuar korsi të dedikuara për emergjencat, biçikletat, këmbësorët dhe transportin publik. Po ashtu, 39 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për vepra të ndryshme penale, ndërsa 65 automjete janë bllokuar dhe tërhequr me mjet ngritës.

Në qytetin e Vlorës, një drejtues mjeti është gjobitur me 40,000 lekë për kryerjen e manovrave të rrezikshme. Ai parakaloi mbi trafikndarëse në zonën e Lungomares, duke rrezikuar sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës. Policia e Vlorës bëri të ditur se drejtuesi i automjetit tip "Benz", shtetasi E. B., nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Po ashtu, një tjetër drejtues është gjobitur me 12,000 lekë nga Policia Rrugore e Lezhës për parakalim të rrezikshëm në aksin Lezhë-Mabë. Pas publikimit të një videoje në faqen “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, shërbimet e policisë identifikuan drejtuesin, shtetasin Gj. P., banues në Shkodër.

Policia apelon për respektimin e rregullave të trafikut dhe thekson se do të vijojë masat e rrepta ndaj shkelësve të ligjit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-