Tirana po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet europiane më të kërkuara nga turistët britanikë. Qyteti, i cili deri në fillim të viteve 1990 kishte një profil krejt tjetër, ka përjetuar një transformim të thellë urban, kulturor dhe social. Rritja e ngjyrave, hapësirave publike dhe energjisë rinore ka tërhequr vizitorë që kërkojnë një eksperiencë ndryshe nga metropolet e zakonshme europiane.
Me fillimin e vitit të ardhshëm, britanikët do të mund të udhëtojnë drejt Tiranës me çmime shumë të ulëta, duke nisur nga gjashtëdhjetë e pesë paund për një drejtim. Kjo vjen pasi një kompani ajrore me kosto të reduktuar ka shtuar linja të reja fluturimi nga Liverpuli dhe që nga vera e vitit 2026 do të operojë drejtpërdrejt nga aeroporti “John Lennon”. Një investim i ri, pjesë e një pakete prej gjashtëqind milionë dollarësh në veriperëndim, ka mundësuar shtimin e një avioni të gjashtë në flotë.
Tirana ofron një gamë të gjerë përjetimesh. Qyteti është i mbushur me ndërtesa shumëngjyrëshe, sheshe dhe rrugë të këndshme për këmbësorët, të cilat e bëjnë shëtitjen një kënaqësi më vete. Për ata që duan të zhytën në histori, muze të rëndësishëm si Muzeu Historik Kombëtar apo hapësirat e transformuara të ish-bunkerëve ushtarakë sjellin një kombinim të rrallë të së kaluarës dhe artit bashkëkohor.
Adhuruesit e natyrës shijojnë pa vështirësi një arratisje të shpejtë drejt Malit të Dajtit, vetëm një çerek ore larg me teleferik, me pamje panoramike në 1611 metra lartësi. Ndërkohë, zemra e qytetit, Sheshi Skënderbej, mbetet pika kryesore për çdo vizitor, i rrethuar nga institucionet kryesore kulturore e administrative të vendit.
Vizitorët rekomandohet të shijojnë pamjet 360 gradë të qytetit, të vizitojnë Piramidën e rikonstruktuar, objektet e kultit, hapësirat e gjelbra dhe kalanë e restauruar. Parku i Liqenit të Tiranës në jug të kryeqytetit mbetet ndër destinacionet më të dashura për familjet dhe të rinjtë.
Vetëm një orë larg ndodhet liqeni i Bovillës, një perlë e fshehtë mes maleve, ideal për ecje dhe ture natyrë. Gastronomia tradicionale shqiptare i plotëson vizitorët me shije si tava e kosit, fërgesa dhe byreku.
Komente