Tirana, destinacion gjithëvjetor për turistët nga e gjithë bota – Rritet interesi për kryeqytetin dhe Shqipërinë

Tirana, destinacion gjithëvjetor për turistët nga e gjithë bota – Rritet interesi për kryeqytetin dhe Shqipërinë

Tirana po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më të preferuara turistike në Europën Juglindore. Qindra turistë nga e gjithë bota kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqytetin shqiptar dhe Shqipërinë, tërhequr nga bukuritë natyrore, trashëgimia historike, kultura dhe mikpritja.

Investimet e viteve të fundit në infrastrukturë, hapësira publike, objekte historike dhe atraksione moderne si “Piramida”, “Bunk’Art” apo Pazari i Ri, kanë transformuar Tiranën në një qytet aktiv turistik gjatë gjithë vitit.

Gjatë një vëzhgimi në terren, Agjencia Telegrafike Shqiptare ka takuar dhjetëra turistë që shijonin qytetin dhe dokumentonin me foto arkitekturën e ndërthurur mes vjetër dhe modernes. Disa prej tyre kishin udhëtuar fillimisht në jug të Shqipërisë dhe më pas kishin ardhur në Tiranë për të eksploruar jetën urbane dhe historinë.

Një grup turistësh nga Belgjika, që kishin kaluar disa ditë në Sarandë, shprehen se Tirana i ka befasuar me arkitekturën, ushqimin dhe atmosferën e gjallë të qytetit.

Dy turiste italiane, Sofia dhe Ilaria, pas disa ditësh në Vlorë, kanë zgjedhur të vizitojnë Tiranën pa guidë, duke ndjekur vetëm dëshirën për të njohur më shumë nga Shqipëria. “Sapo vizituam Kullën e Sahatit. Nuk e kishim parë kurrë më parë diçka të tillë. Do të kthehemi sërish vitin tjetër”, thanë ato.

Në sheshin “Skënderbej”, një grup prej më shumë se 20 turistësh turq u ndalën për të bërë foto pranë monumentit të Heroit Kombëtar dhe u shprehën të impresionuar nga Piramida dhe ekspozitat në “Bunk’Art”.

Ndërkohë, një grup i madh turistësh nga Spanja, Uruguai dhe Kolumbia ndodhej në Tiranë përmes një agjencie lokale. Ciceronia e tyre u shpreh se turistët janë të magjepsur nga jugu, por gjithashtu shfaqin interes të madh për Beratin, Gjirokastrën, gjiret si Gjipeja dhe Grama, si dhe qendrat muzeale në Tiranë.

Atraksionet më të vizituara në kryeqytet mbeten: Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Kalaja e Tiranës, Mozaiku i Tiranës, Pazari i Ri, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’Art” 1 dhe 2, “Shtëpia me gjethe”, Ura e Tabakëve dhe Kalaja e Petrelës.

Brenda një hapësire prej vetëm 15 kilometrash katrorë, Tirana ofron mundësi të larmishme për turizëm kulturor, historik, arkitekturor, kulinar, malor dhe aventurë – duke e bërë atë një destinacion unik për të gjitha stinët.

Turizmi në Shqipëri po njeh një hov të ri dhe Tirana është kthyer në zemrën e këtij zhvillimi. Atmosfera energjike e kryeqytetit, historia e pasur dhe mikpritja tradicionale po tërheqin çdo vit mijëra vizitorë nga Evropa dhe më gjerë.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-