Një ndër mediat më prestigjioze britanike, “The Telegraph”, i ka kushtuar një artikull të posaçëm liqenit të Shkodrës, duke e cilësuar si një prej perlave të fshehura të Evropës Jugore dhe një thesar natyror e kulturor që ndan Shqipërinë me Malin e Zi.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale një pasazh nga ky artikull, ku përshkruhet: “Liqeni më i madh i Evropës Jugore dhe një rezervat natyror i mbrojtur… male karstike mbresëlënëse, ishuj, manastire, xhami historike dhe laguna të fshehura.”
Sipas Beci, ky vlerësim ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e potencialit të jashtëzakonshëm që ka Shkodra për zhvillimin e turizmit natyror dhe kulturor. “Liqeni i Shkodrës, i njohur për biodiversitetin, bukuritë e rralla dhe vlerat kulturore, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare,” shkruan ai.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet përgjatë kufirit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai vlerësohet si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të rajonit.
Veç vlerave natyrore dhe peizazheve të mrekullueshme, liqeni është edhe një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin. Në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025, Liqeni i Shkodrës u rendit në vendin e dytë në kontinent, me 23,899 individë të specieve të ndryshme, duke konfirmuar rëndësinë e tij si një habitat kyç për faunën e egër.
Një pasuri e rrallë që meriton më shumë vëmendje dhe mbrojtje.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente