Sarandë, Korrik 2025 – Kurora e gjelbër që i jep hijeshi shetitores buzë detit në Sarandë po ndryshon ngjyrë. Më shumë se 30 pisha nga rreth 100 të mbjella vetëm tre vite më parë janë tharë, duke lënë pas trungje të zbrazëta dhe degë pa jetë. Peizazhi që dikur ofronte freski e estetikë, sot shfaqet dyngjyrësh – një pjesë ende e gjelbër dhe një pjesë tjetër e dominuar nga ngjyra kafe e tharjes.
Banorë dhe vizitorë që shëtisin çdo ditë përgjatë bregdetit, e ndiejnë ndryshimin dhe shprehin shqetësim. Disa prej tyre mendojnë se mungesa e përkujdesjes në ujitje, teprimi me lagështinë në rrënjë, apo një sëmundje e mundshme mund të jenë shkaqet e kësaj gjendjeje. Të tjerë i referohen tokës jo të përshtatshme për këtë lloj gjelbërimi, sidomos në kushte të temperaturave ekstreme të verës.
Çfarë po ndodh me pishat dhe si mund të parandalohet më keq?
Ekspertët dhe qytetarët bien dakord se ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme. Zëvendësimi i 30 pishave të thara me fidane të rinj dhe mbjellja e tyre në mënyrë të kujdesshme, shoqëruar me ujitje të kontrolluar, janë hapa thelbësorë për të parandaluar përhapjen e dëmtimit edhe tek pishat e tjera të shëndetshme.
Mbjellja e këtyre pishave nisi në nëntor 2021 dhe vazhdoi deri në shkurt 2022, si pjesë e projektit për rikonstruksionin dhe gjelbërimin e shetitores së Sarandës. Investimi përfshinte edhe palma, në një debat të atëhershëm se cila bimë do të përshtatej më mirë me klimën mesdhetare të qytetit.
Sot, me 30 pisha të thara në vetëm një verë, dilema rikthehet: A ishte Saranda më mirë me palma sesa me pisha?
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente