Policia e Sarandës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Diving”, duke goditur një rast të armëmbajtjes pa leje në zonën e Sarandës.
Tre të rinj që udhëtonin me një automjet luksoz “Porsche” në rrugën “Butrinti” u ndaluan për kontroll nga uniformat blu. Gjatë kontrollit, njëri prej tyre, shtetasi E. D., 27 vjeç, tentoi të arratisej duke u hedhur në det dhe duke u përpjekur të fshehë në ujë një çantë ku mbante një pistoletë me 16 fishekë. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Kufitare, ai u kap në flagrancë.
Në pranga ranë edhe dy persona të tjerë:
I. G., 21 vjeç
B. C., 27 vjeç, i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma dhe automjeti luksoz.
Materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë e Sarandës, e cila do të kryejë veprimet e mëtejshme ligjore.
Policia thekson se operacione të tilla do të vijojnë në mënyrë intensive gjatë sezonit turistik, për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve dhe turistëve.
BluTV do të vijojë t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e fundit në sigurinë publike dhe veprimet e Policisë në të gjithë vendin.
Komente