Shqipëria është shpallur si destinacioni kryesor për pushime bregdetare në Europë nga e përditshmja prestigjioze britanike The Telegraph. Në një artikull të fundit kushtuar destinacioneve më të bukura dhe të fshehura në Evropën Lindore, gazetarja Elise Morton rendit vendin tonë në krye të listës me 10 plazhe dhe liqene që konkurrojnë më të mirët e Mesdheut.
Në krye të listës qëndrojnë Ishujt e Ksamilit, të cilët përshkruhen si një “perlë e veçantë në detin Jon” me rërë të bardhë dhe ujë të kristaltë, që i kanë shpëtuar ende masave të mëdha turistike. Vizitorët rekomandohen të eksplorojnë me varkë ose not këta ishuj, dhe të zbulojnë edhe mrekullinë arkeologjike të Butrintit aty pranë.
Në vendin e tretë renditet Liqeni i Ohrit, që ndan kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me ujërat e qetë dhe biodiversitetin e pasur, liqeni ofron jo vetëm mundësi për relaks dhe not, por edhe për eksplorim historik në qytetin e mbrojtur nga UNESCO dhe në kishat bizantine që e rrethojnë.
Në vendin e pestë ndodhet Dhërmiu, që sipas Telegraph rivalizon vetë Rivierën Franceze për bukurinë e tij. Plazhi i guralecëve të bardhë, uji i kaltër dhe shëtitja në fshatin e vjetër ofrojnë një eksperiencë autentike për pushuesit. U rekomandohet gjithashtu Plazhi i Gjipesë për ata që kërkojnë më shumë qetësi dhe natyrë të egër.
Më poshtë në listë, në vendin e nëntë, është përfshirë edhe Liqeni i Shkodrës, një nga liqenet më të mëdha në Europën Jugore, me një mjedis natyror të mbrojtur dhe të pasur me jetë të egër. Kajaku, verërat artizanale dhe vëzhgimi i zogjve janë vetëm disa nga atraksionet që ofron kjo zonë.
Kjo renditje është një tjetër dëshmi e potencialit të lartë turistik që ka Shqipëria, veçanërisht në sezonin veror, ku bregdeti dhe natyra jonë unike po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare.
Lista e plotë nga The Telegraph:
Ishujt e Ksamilit, Shqipëri
Ujëvarat e Kravicës, Bosnjë-Hercegovinë
Liqeni i Ohrit, Shqipëri / Maqedonia e Veriut
Liqeni Balaton, Hungari
Dhërmi, Shqipëri
Plazhi Jaz, Mali i Zi
Jurmala, Letoni
Sozopol, Bullgari
Liqeni i Shkodrës, Shqipëri / Mali i Zi
Krynica Morska, Poloni
Për më shumë artikuj mbi turizmin shqiptar dhe atraksionet më të bukura të sezonit, qëndroni me BluTV.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente