Tiranë – Projekti artistik dhe komunitar “Tek Bunkeri”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit EU4Culture, është përzgjedhur si finalist për çmimet New European Bauhaus Prizes 2025, një ndër vlerësimet më prestigjioze në Evropë për projekte që ndërthurin kujtesën, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë.
Projekti “Tek Bunkeri”, i titulluar “Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar”, është përzgjedhur mes më shumë se 700 aplikimeve nga e gjithë Evropa si një nga nismat më frymëzuese që rikthejnë në vëmendje historinë dhe e shndërrojnë atë në hapësirë për reflektim dhe krijimtari.
“Krenarë të shohim projektin ‘Tek Bunkeri’ si finalist i New European Bauhaus Prizes 2025” – u shpreh Delegacioni i BE-së në Tiranë përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Në fokus të projektit janë rrëfimet e të mbijetuarve të burgut të Spaçit, skulptura, një film i shkurtër artistik, diskutime me publikun dhe punëtori me të rinj dhe gra artizane, duke kthyer një hapësirë të dhimbshme të së shkuarës në një qendër të gjallë dialogu dhe arti.
“Tek Bunkeri” është një shembull sesi kultura dhe kujtesa historike mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe angazhimin qytetar, duke fuqizuar komunitetin dhe nxitur ndjeshmëri kolektive përmes formave bashkëkohore të shprehjes artistike.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Komente