Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në qendër të Karakasit, duke shkaktuar panik dhe duke vënë në lëvizje forcat e sigurisë pranë pallatit presidencial Palacio Miraflores.
Sipas të dhënave paraprake, janë përdorur armë automatike dhe mitraloza kundërajrorë, ndërsa të shtënat janë përqendruar në zonën ku ndodhet selia presidenciale. Në këtë pallat, një ditë më parë, Delcy Rodríguez u betua si presidente në detyrë e Venezuelës, pas kapjes së Nicolás Madurros gjatë një operacioni ajror amerikan të zhvilluar të shtunën.
Pamjet nga terreni tregojnë lëvizje të shumta të automjeteve ushtarake dhe të blinduara, si dhe trupa të armatosura që patrullojnë rrugët në formacione të organizuara. Janë vërejtur gjithashtu persona të armatosur me motoçikleta, të ngjashëm me njësi paraushtarake të lidhura me strukturat e rendit. Sipas raportimeve, disa ndërtesa banimi kanë pësuar dëmtime në dritare nga plumbat.
Të shtënat kanë nisur rreth orës 01:30 të mëngjesit, sipas kohës italiane, dhe kanë vazhduar me intensitet të lartë për më shumë se 30 minuta. Më pas, autoritetet deklaruan se situata ishte vënë nën kontroll.
Burime të ndryshme sugjerojnë se incidenti mund të jetë shkaktuar nga shfaqja e dy dronëve mbi zonën e pallatit presidencial, duke rritur alarmet për një ndërhyrje të mundshme të re nga jashtë. Kjo dyshohet se ka çuar në aktivizimin e sistemeve kundërajrore dhe reagimin e menjëhershëm të forcave të sigurisë.
Pas ngjarjes, ndërtesat qeveritare në qendër të kryeqytetit janë evakuuar, ndërsa ministritë dhe institucionet shtetërore janë mbyllur përkohësisht. Zona përreth është izoluar për arsye sigurie, duke lënë qytetarë dhe punonjës të bllokuar brenda ambienteve.
Autoritetet venezueliane nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar të detajuar mbi shkaqet e incidentit, ndërsa situata në Karakas vijon të mbetet e tensionuar.
Komente