Tavo nuk tërhiqet: “Jam dakord për shkundjen e administratës, por nënkryetarët janë të rinj në detyrë”

Tavo nuk tërhiqet: “Jam dakord për shkundjen e administratës, por nënkryetarët janë të rinj në detyrë”

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka reaguar pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve të bashkive, duke theksuar se në rastin e Himarës, ata janë të sapoemëruar dhe nuk mund të largohen kaq shpejt nga detyra.

Në një deklaratë për media, Tavo theksoi se është dakord me idenë e kryeministrit për shkundjen e administratës, por shtoi se nënkryetarët e Himarës janë të rinj në detyrë dhe nuk mund të largohen vetëm pas një periudhe të shkurtër kohore. “Administrata, sidomos në bashkitë turistike, nuk mund të flejë. Njerëzit kanë pritshmëri të mëdha dhe jemi të detyruar t’u ofrojmë përkushtimin maksimal. Administrata duhet shkundur – jam dakord me kryeministrin – por për nënkryetarët kam vetëm një muaj që i kam emëruar. Do ta shohim me kohën,” tha ai.

Tavo shtoi se është plotësisht i një mendimi me kryeministrin për nevojën e rifreskimit të administratës publike, veçanërisht kur punonjësit qëndrojnë për vite të tëra në detyrë pa një vlerësim të mirëfilltë të performancës.

Në lidhje me aksionin për lirimin e hapësirave publike në bregdet, Tavo nënvizoi se puna po vijon intensivisht në Himarë. Ai bëri të ditur se vetëm një natë më parë ishin evidentuar dy kioska të vendosura pa leje në qendër të Himarës, të cilat janë çmontuar menjëherë nga policia dhe strukturat përkatëse.

“Kjo është një dukuri që ka vazhduar për vite, por nuk mund të tolerohet më, pavarësisht sezonit turistik. Nuk mund t’i lejojmë me justifikimin se është sezoni. Rregulli është rregull për të gjithë,” përfundoi Tavo.

Ky reagim i kryebashkiakut të Himarës vjen në një periudhë kur aktivitetet për mbrojtjen e hapësirave publike dhe rikthimin e rendit janë më të theksuara, veçanërisht në qytetet bregdetare që janë në kulmin e sezonit turistik.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-