Ndërsa Vlora përjeton fluksin më të madh të turistëve për këtë sezon, kriza e menaxhimit dhe mungesa e reagimit nga institucionet përgjegjëse po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Pavarësisht krijimit të një Task-Force Ndërinstitucionale për Turizmin, e cila në letër synon garantimin e një sezoni të sigurt, të pastër dhe të organizuar, realiteti në terren tregon të kundërtën.
Në krye të kësaj strukture qëndron Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, i cili u emërua në këtë detyrë në janar 2025 me vendim të Këshillit të Ministrave. Por deri më sot, asnjë masë konkrete nuk është marrë në terren, ndërsa qyteti përballet me një sërë problematikash të përsëritura.
Problemet kryesore në qytet
Mungesa e ujit të pijshëm në disa lagje, një problem i përhershëm që rëndohet në verë.
Mbeturina në plazhe dhe rrugë kryesore, që e dëmtojnë rëndë imazhin e qytetit si destinacion turistik.
Shërbime të pamjaftueshme të pastrimit, me operatorin që nuk arrin të përballojë dot fluksin.
Mungesë transparence dhe veprimi nga institucionet vendore.
Task-Forca, e cila përfshin Bashkinë e Vlorës, Policinë e Shtetit, Inspektoratin e Turizmit, ISHP-në, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe institucione të tjera, ka zhvilluar disa takime formale, por pa asnjë efekt të prekshëm në realitet.
Rregullore që nuk zbatohet
Në dokumentin udhëzues të Task-Forcës janë parashikuar masa konkrete, si:
Kontrolli i licencave të stacioneve të plazhit
Vendosja e koridoreve ujore dhe tabelave sinjalizuese
Monitorimi i ndotjes akustike dhe kushteve higjieno-sanitare
Grumbullimi i të dhënave dhe koordinimi institucional
Por sipas verifikimeve të Blu TV, asnjë prej këtyre masave nuk është zbatuar deri më sot, duke shfaqur një dështim të qartë institucional dhe menaxherial.
Qytetarët dhe operatorët turistikë të braktisur
Ndërkohë që sfidat rriten përditë, institucionet heshtin. Nuk ka asnjë plan emergjent, as ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e situatës. Prefekti Nesturi nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike mbi gjendjen aktuale, ndërsa qytetarët dhe operatorët turistikë ndihen të braktisur.
“Papunësia në reagim, mungesa e informacionit dhe shërbimet bazike të pamjaftueshme po dëmtojnë rëndë turizmin në qytet,” – shprehen me shqetësim aktorë të sektorit.
Turizmi në rrezik – kërkohet veprim urgjent
Në një moment kur Vlora ka nevojë për koordinim institucional dhe mbështetje të qëndrueshme, mosveprimi i Task-Forcës dhe heshtja e Prefektit Nesturi po thellojnë krizën.
Kjo situatë rrezikon jo vetëm sezonin aktual, por edhe besueshmërinë afatgjatë të qytetit si një destinacion turistik serioz dhe të organizuar.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente