Mbrëmjen e së dielës, Marina Orikum u kthye në një skenë magjike nën tingujt e tangos latine, me performancën e katër artistëve virtuozë italianë të grupit muzikor “Terra del Sole”.
Koncerti “Tango del Mar” ishte premiera e serisë së aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë muajit gusht në Vlorë, në kuadër të MAREMEUM Festival 2025, edicioni i dytë i të cilit sjell artistë të njohur nga skena ndërkombëtare.
Në skenë performuan vokalistja Eleonora Pascarelli, violinisti Domenico Zezza, pianisti Enrico Tricarico dhe fizarmonicisti Alessandro Gazza, duke dhuruar një mbrëmje të mbushur me emocion dhe elegancë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Achille Provenzano, vlerësoi rolin e këtyre eventeve artistike si ura miqësie dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.
Marina Orikum është shndërruar vitet e fundit në një pikë-takim të rëndësishëm për artin dhe kulturën, duke pritur artistë të njohur të muzikës klasike dhe moderne. Me transformimin që pritet të nisë në shtator, falë projektit madhor të arkitektit austriak Chris Precht, Marina Orikum do të kthehet në një prej destinacioneve më të mëdha dhe më prestigjioze në Mesdhe.
Projekti parashikon ndërtimin e një marine me rreth 850 vende ankorimi për jahte, si dhe zhvillimin e një kompleksi hotelier 5-yjor dhe rezidencash “luxury” me apartamente e vila të dizajnuara në detaj. Ky investim pritet të japë një shtysë të madhe zhvillimit të Orikumit dhe Vlorës, duke e pozicionuar zonën si një destinacion elitar të “ekonomisë blu” në Shqipëri.
Komente