Takim me dyer të mbyllura në Bashkinë e Vlorës - Në fokus emërimet e reja dhe turizmi

Takim me dyer të mbyllura në Bashkinë e Vlorës - Në fokus emërimet e reja dhe turizmi

Në Bashkinë e Vlorës është zhvilluar sot një takim me dyer të mbyllura, me praninë e kryetarit të bashkisë Ermal Dredha, drejtuesit politik të qarkut Bledi Çuçi, ministrit të Mbrojtjes dhe deputetit Pirro Vengu, si dhe deputetëve të vjetër e të rinj të Vlorës. Të pranishëm kanë qenë gjithashtu edhe kandidatët që garuan, por nuk fituan mandat, të cilët tashmë janë pjesë e grupit të punës të ngritur pranë bashkisë.

Burime nga Bashkia e Vlorës bëjnë me dije se qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimi mbi emrat e rinj që pritet të vendosen në krye të institucioneve në varësi të bashkisë, si dhe mbi porositë e dhëna më herët nga kryeministri Edi Rama, me fokus kryesor turizmin.

Gjatë muajit korrik, kryeministri Rama zhvilloi disa takime në Bashkinë e Vlorës, ku kërkoi largimin e disa drejtuesve aktualë dhe zëvendësimin e tyre me figura të reja, me synimin për të rritur performancën e punës së bashkisë. Pas dorëheqjes së disa drejtuesve, janë hapur disa pozicione vakante, për të cilat janë depozituar një sërë aplikimesh.

Takimi i sotëm me grupin e punës ka pasur si objektiv kryesor diskutimin e këtyre emrave dhe finalizimin e emërimeve të reja në detyrë. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe mbarëvajtja e sezonit turistik, ndërsa pritet që përfundimet e këtij takimi t’i referohen edhe kryeministrit Rama.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-