Në një qytet si Vlora, ku ritmet e urbanizimit dhe kërkesat për standarde më të larta jetese janë në rritje, qytetarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt supermarketeve për blerjet e përditshme. Ambientet e pastra, produktet e certifikuara dhe niveli i lartë i kontrollit ushqimor po bëhen faktorë përcaktues në zgjedhjen e konsumatorëve.
“Te marketi ndihesh më i sigurt. Produktet janë të kontrolluara dhe mjedisi është higjienik,” – shprehen qytetarë të intervistuar në terren, duke theksuar se, ndonëse çmimet janë më të larta, siguria dhe komoditeti vlejnë më shumë.
Megjithatë, tregjet tradicionale vazhdojnë të mbajnë një vend të rëndësishëm në kulturën e konsumit, veçanërisht për fruta dhe perime të freskëta. Qytetarët theksojnë se këto produkte vijnë direkt nga fermerët lokalë dhe ofrohen me çmime më të përballueshme, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes prodhuesit dhe konsumatorit.
“Për fruta dhe perime vij gjithmonë te tregu. Janë më të freskëta dhe më lirë,” – thonë disa nga blerësit besnikë të tregut.
Në këtë ndarje mes marketit dhe tregut, konsumatori vlonjat po bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë ushqimore, duke balancuar mes çmimit, cilësisë dhe shërbimit. Supermarketet po fitojnë terren si zgjedhje moderne dhe e garantuar, por tregjet tradicionale vijojnë të mbajnë peshën e freskisë dhe aksesit të drejtpërdrejtë.
BluTV vijon të sjellë zërin e qytetarëve dhe realitetin ekonomik e social të komunitetit në fokus të raportimeve të përditshme.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente