Numri i viktimave nga sulmi i armatosur në Bondi Beach të Sidneit ka shkuar në 15, ndërsa dhjetëra persona vijojnë të jenë të shtruar në spital. Autoritetet australiane e kanë klasifikuar ngjarjen si akt terrorist, duke konfirmuar se shënjestra ishte komuniteti hebre gjatë ceremonive të Hanukkah-ut.
Viktima më e re është një vajzë 10-vjeçare, Matilda, e cila ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve. Mes të vrarëve janë edhe rabini britanik Eli Schlanger, si dhe një i mbijetuar i Holokaustit, i cili humbi jetën duke mbrojtur bashkëshorten e tij.
Policia australiane njoftoi se autorët e dyshuar janë një baba 50-vjeçar dhe djali i tij 24 vjeç. Babai u neutralizua nga forcat e rendit në vendngjarje, ndërsa djali ndodhet në gjendje kritike në spital. Sipas të dhënave zyrtare, 50-vjeçari zotëronte një licencë për armë zjarri për gjueti rekreative dhe ishte pjesë e një klubi të armëve.
Raportime ndërkombëtare bëjnë të ditur se ASIO, agjencia australiane e sigurisë, kishte kryer më parë verifikime ndaj 24-vjeçarit, por pa e vlerësuar si kërcënim aktiv për dhunë.
Pas ngjarjes, qytetarë të shumtë u mblodhën pranë plazhit për të vendosur lule dhe për të nderuar viktimat. Komuniteti mysliman në Australi dënoi ashpër sulmin, duke theksuar se dhuna dhe antisemitizmi nuk kanë vend në shoqëri, ndërsa shprehu solidaritet me komunitetin hebre.
Kryeministri Anthony Albanese ka paralajmëruar nisma të reja për ashpërsimin e legjislacionit mbi armët e zjarrit, duke përfshirë kufizime kohore për licencat, pavarësisht se Australia ka tashmë një nga kuadratet më të forta ligjore në botë në këtë fushë.
Komente