Ushtria ukrainase kreu një sulm ndaj një uzine të madhe kimike në rajonin e Stavropolit, duke shkaktuar zjarr gjatë mbrëmjes së së enjtes. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, impianti Nevinnomyssky Azot prodhonte përbërës shpërthyes dhe konsiderohet një nga fabrikat më të mëdha të këtij lloji në territorin rus.
Forcat ukrainase raportuan gjithashtu goditjen e portit detar Temryuk në Krai Krasnodar, si edhe të rafinerisë së naftës Syzran në rajonin e Samarës. Një dron ka shkatërruar gjithashtu një vend lëshimi të mjeteve ajrore pa pilot. Në drejtimin verior, janë goditur pajisje të kamufluara, automjete dhe një mitraloz i rëndë DShK.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se bisedimet për paqen po vijojnë dhe se grupi negociator ukrainas do të vazhdojë takimet me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi se fokusi kryesor mbetet arritja e një paqeje të drejtë për vendin e tij.
Zelensky u shpreh se është e rëndësishme të merret informacion i plotë lidhur me atë që është diskutuar në Moskë dhe mbi, siç i cilësoi ai, pretekste të fabrikuara për të zgjatur konfliktin dhe ushtruar presion ndaj Ukrainës. Ai theksoi se vendi është i përgatitur për çdo zhvillim dhe se do të bashkëpunojë ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar një zgjidhje që sjell siguri reale për popullin ukrainas.
Nga ana tjetër, Moska njoftoi se po pret përgjigjen e Uashingtonit pas takimit të zhvilluar këtë javë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë në kryeqytetin rus. Sipas një përfaqësuesi të Kremlinit, aktualisht nuk ka plan të përcaktuar për një bisedë telefonike midis Putinit dhe Donald Trump, as për një takim të radhës me të dërguarin amerikan.
Ngjarjet vijojnë të përditësohen.
Komente