Një aksident i pazakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin jugperëndimor të Göteborg-ut, ku një tramvaj doli nga shinat dhe u përplas me një piceri, duke lënë shtatë persona të plagosur.
Sipas autoriteteve suedeze, mes të plagosurve është edhe shoferi i tramvajit. Policia lokale ka bërë me dije se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë, e cila e bëri të pamundur marrjen e një kthese majtas, duke bërë që tramvaji të humbiste kontrollin dhe të përfundonte brenda lokalit.
“Shpejtësia ishte e lartë dhe nuk mundi të kthehej majtas, kështu që vazhdoi drejt dhe u përplas me… një piceri,” deklaroi zëdhënësi i policisë.
Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke dhënë ndihmën e parë dhe transportuar të plagosurit drejt spitalit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Komente