Një stuhi breshëri që zgjati vetëm 20 minuta ka shkaktuar dëme të mëdha në tre fshatra të Mallakastrës – Gjerbës, Selitë dhe Kapaj – duke shkatërruar punën e një viti të mbi 400 fermerëve.
Një ditë pas stuhisë, banorët e dëmtuar tregojnë pasojat e rënda që u ka lënë ky fenomen natyror. Sipas tyre, vreshtat dhe ullishtet, që ndodheshin në fazën më të ndjeshme të zhvillimit, janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme, duke i lënë pa burimin kryesor të të ardhurave.
“Nuk kemi asgjë për të korrur këtë vit”, thonë fermerët, teksa kërkojnë ndihmë nga shteti për të përballuar dëmet. Ata shprehen se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë, edhe pse përballen çdo vit me sfida të tilla natyrore.
Breshëri ka shkatërruar jo vetëm vreshtat dhe ullishtet, por edhe kulturat e tjera bujqësore si qepët, patatet, misri dhe gruri, duke lënë pas humbje të mëdha financiare për dhjetëra familje që mbijetojnë vetëm nga puna në tokë.
Fermerët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të vlerësojnë urgjentisht dëmet dhe të ofrojnë një formë mbështetjeje konkrete për ta, në mënyrë që të mos humbasin tërësisht mundësinë për të vijuar jetesën në bujqësi.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente